Procesi gjyqësor në Hagë, në pritje të vendimit të Gjykatës
Shkruan: Faton Hasani
Kosova ka dhënë dëshmi para botës se është shtet që beson në vlerat e demokracisë dhe ka qenë bashkëpunuese e pa rezervë për formimin e Gjykatës Speciale, pavarësisht se po gjykohen vetëm krime të supozuara nga shqiptarët dhe jo të gjitha krimet e ndodhura, ku shqiptarët ishin viktimë e gjenocidit dhe terrorit të aparatit shtetëror serb në Kosovë.
Prandaj, sot populli i Kosovës me të drejtë kërkon dhe pret një vendim juridik dhe të drejtë nga procesi gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, duke mënjanuar çdo ndërhyrje politike.
Bashkësia ndërkombëtare, demokracitë e konsoliduara, shtetet financuese dhe lobuese për krijimin e Gjykatës Speciale, ua kanë borxh jo vetëm atyre që po gjykohen në Hagë, por mbarë shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës, një proces të drejtë, transparent, juridik dhe të pandikueshëm nga politika.
Në këtë proces gjyqësor po gjykohen personalitete me peshë në jetën publike dhe politike të vendit: Presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, dy kryetarë të Parlamentit, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe një deputet me peshë politike dhe figurë e respektuar Rexhep Selimi .
Fakti që kjo Gjykatë është formuar nga vetë ata që po akuzohen në Hagë, paraqitja e tyre vullnetare në Hagë, bashkëpunimi i tyre me Gjykatën, kredibiliteti i dëshmitarëve të mbrojtjes, personaliteteve të larta politike dhe ushtarake nga vendet më demokratike të botës, si Gjenerali Clark, James Rubin e të tjerë që janë njohës të rrethanave, si dhe argumentimet e fuqishme dhe shumë mirë të artikuluara të mbrojtjes, me të drejtë na bëjnë të jemi optimistë se në fund Gjykata do të sjellë aktgjykim lirues për të katër të akuzuarit.
UÇK-ja zhvilloi luftë të drejtë çlirimtare dhe ishte e përkrahur nga NATO-ja për shkak të qëllimit që kishte: mbrojtjen e popullatës civile dhe çlirimin e vendit. Përkundër faktit se ishte një ushtri guerile, në qëllimin e saj kishte zhvillimin e një lufte çlirimtare duke respektuar të gjitha konventat dhe ligjet ndërkombëtare.



