Projektligji për KPM-në, anëtarët e Komisionit për Administratë Publike bashkëbiseduan me qytetarët e Prizrenit 

08 prill 2024 | 17:46

Anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, nën udhëheqjen e kryetarit Valon Ramadani, në vazhdën e dëgjimeve publike me qytetarë të komunave të ndryshme të Kosovës lidhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, qëndruan sot në Prizren.

Si rrjedhojë, në sallën e kuvendit të kësaj komune anëtarët e komisionit dëgjuan propozimet, rekomandimet dhe vërejtjet e qytetarëve që ishin të pranishëm në dëgjim publik lidhur me Projektligjin për KPM-në.

Të pranishmit në këtë dëgjim publik, kryesisht adresuan dhe parashtruan një gamë të gjerë të pyetjeve lidhur me përmbajtjet mediatike, ndëshkimet që parashihen në bazë të shkeljeve, çështjet e transparencës financiare të mediave, licencimin e medieve, kodin etik, raportimin, ndjeshmërinë dhe përfaqësimin gjinor si dhe rregullat e reklamimit.

Pyetjeve të audiencës së pranishme iu përgjigjen kryetari i Komisionit Valon Ramadani dhe deputeti Besim Muzaqi, duke theksuar se projektligji do të rregullojë aspekte të rëndësishme të mediave dhe funksionimit të tyre, duke mbrojtur interesin e përgjithshëm qytetar, gjithnjë në direktiva dhe kritere të BE-së.

Nxitja e prodhimit të gazetës së shtypur ditore, ishte një ndër rekomandimet që mori vëmendje të veçantë, duke u përmendur rëndësinë e saj dhe informimin objektiv, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës për aspekte të ndryshme sociale.

Kryetari Ramadani përmendi se projektligji është hartuar bazuar në ligjin aktual dhe në konsultim me të gjithë akterët e tjerë relevantë, përfshirë takimet e rregullta me profesionistët e fushës, shoqërinë civile, qytetarët nga komunat e ndryshme të Kosovës, partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.

Duke falënderuar pjesëmarrësit për kontributin konstruktiv të tyre, kryetari Ramadani theksoi se rekomandimet si të tilla i shërbejnë hartimit të një projektligji sa ma të mirë.

Dëgjimet publike për këtë projektligj do të vazhdojnë të shtunën, më 13.04.2024 në Komunën e Pejës duke filluar nga ora 11:00 dhe në Komunën e Gjakovës, nga ora 14:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka marrë…