Prokuroria Themelore e Gjilanit ndalon tre persona për shantazh

21 nëntor 2018 | 12:12

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar tre persona për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Shantazhi”.

“Ekziston dyshimi i bazuar që të dyshuarit M.K. dhe F.K., gjatë muajit nëntor 2018, në Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë shantazhuar të dëmtuarin E.E., në atë mënyrë që nga ai kërkojnë 5.000 euro, ose në të kundërtën do t’ia publikonin një video incizim, me të cilin do të dëmtohej nderi dhe autoriteti i tij, pasi që e dyshuara kishte shkuar në ordinancën e të dëmtuarit kinse për t’u kontrolluar, pastaj iu ishte afruar duke e prekur në pjesë të ndryshme të trupit”, është bërë me dije në njoftimin e kësaj prokurorie.

Këta tre persona sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, me këto veprime kanë kryer veprën penale “Shantazhi” nga neni 341 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa i dyshuari B.K., me dashje u ka ofruar ndihmë në kryerjen e veprës penale të dyshuarve të sipërshënuar, duke iu ofruar automjetin dhe telefonin e tij, me ç’rast për këto shërbime kishte marrë 100 euro. “Në këtë mënyrë i njëjti ka kryer veprën penale ‘Ndihma në kryerjen e veprës penale Shantazhi’, nga neni 341 paragrafi 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së. Për këtë çështje, ndaj tre të dyshuarve është ushtruar kërkesa për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në Gjykatën Themelore në Gjilan”, është theksuar në njoftimin për media.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Damir Mulaomeroviq, e ka publikuar…