Prokuroria thotë se gruaja në Pejë u qëllua me armë në ballë nga bashkëshorti, gjersa ishte e ulur në krevat

16 prill 2024 | 23:16

Gjyljeta Ukelli dyshohet se u qëllua me një plumb në kokë nga bashkëshorti i saj sot në Pejë. Kjo u konfirmua edhe nga prokurorja e rastit, përcjell Reporteri.net.

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka lexuar në seancën e sontme dëgjimore, raportin nga hetimet e para të rastit të vrasjes së Gjyljeta Ukellës.

Në të ajo zbuloi disa detaje, ku tha se i pandehuri, Edmond Lajçi, e ka shfrytëzuar momentin kur gruaja e tij të ishte e vetme në banesë duke qëndruar e ulur në krevat, me qëllimin që ta privojë nga jeta me një plumb në ballë.

”Për këtë vepër penale, parashihet dënim së paku 10 vjet, e maksimum është burg i përjetshëm. I pandehuri ka shfrytëzuar momentin kur viktima ka qenë e vetme në banesë, dhe ka shfrytëzuar momentin derisa viktima ka qenë e ulur në krevat, e ka privuar nga jeta me një predhë duke e goditur në pjesën e përparme, në ballë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë, dënoi vrasjen në Pejë, duke theksuar se të gjithë e kanë për detyrë të mbrojnë gratë dhe vajzat.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.

Për vrasjen në Pejë reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se pavarësisht “masave të ndërmarra, fushatave të iniciuara me qëllim pikërisht barazinë gjinore, vrasjet ndaj grave po vazhdojnë”.

Ajo tha se ka thirrur për sot një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit dhe drejtorin e Policisë së Kosovës dhe “po ashtu në një takim tjetër edhe mbledhjen e grupit ndërministror” për të trajtuar çështjen e vrasjes së grave.

“Shpeshherë dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse”, shkroi Haxhiu në rrjetin social Facebook.

Vrasja në Pejë është rasti i dytë brenda pesë ditësh në Kosovë kur gratë dyshohet se u vranë nga partnerët apo ish-partnerët e tyre.

Më 12 prill, një 21-vjeçare u vra brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
PSG-ja ka arritur të fitojë në transfertë ndaj Barcelonës me…