Promovohet libri “Një jetë në fluturim” për Drago Siliqin, nga Laura Konda

23 qershor 2021 | 12:48

Gazetarja Laura Konda e njohur si një ndër figurat kryesore të Zërit të Amerikës, ka promovuar librin dedikuar babait të saj “Një jetë në fluturim”.

Libri u promovua në Librarinë Dukagjini nga Laura Siliqi Konda, e bija e Drago Siliqit, që foli për veprimtarinë e babait të saj, prof. Agim Vinca që përmendi elementin që veçonte Dragon, “e reja në letërsi”, si dhe studiuesi Elion Kollçaku që ndër të tjera përmendi edhe letërkëmbimet e Dragos me Dritën, bashkëshorten e tij, veçanti e të cilave ishte diskutimi për letërsinë, si dhe për autorët e mëdhenj shqiptarë si Naimi, Çajupi, Mjedja dhe Migjeni. Drago Siliqi, bir i poetit Bllazho Siliqi dhe nip i rilindësit të shquar Risto Siliqi, në fillim të viteve ’50 punoi në shtypin e rinisë dhe të fëmijëve dhe filloi të botojë vjershat e para.

No description available.

Nga viti 1952 deri më 1957 studioi në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitet 1957-1958, punoi si korrespondent i gazetës “Zëri i popullit” në Shkodër. Në vitin 1958 filloi punën si redaktor e më pas drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, ku punoi derisa humbi jetën më 13 korrik të vitit 1963, në një aksident ajror në Irkutsk të Rusisë. “Ka zogj që gjithë jetën fluturojnë edhe vdesin duke fluturuar”, sa i thellë ky mbishkrim i librit “Një jetë në fluturim” nga Drago Siliqi, përgatitur nga vajza e tij e dytë, Laura Siliqi Konda. Sikur e përshkruan plotësisht, shumë bukur por shoqëruar me dhembje, pasi fati tragjik i Siliqit, ishte që të humbte jetën pikërisht në një udhëtim të tillë. Në një udhëtim kur me vete kishte dorëshkrimin e Petro Markos, autorit që do t’i bënte gati një kritikë tjetër letrare, pas kritikës shumë objektive dhe të sinqertë me vlerësim të plotë të “Qyteti i fundit”.

Dorëshkrimi më i ri i Petro Markos ishte shpërndarë në aerodrom. Ishte lënë në pritje edhe Ismail Kadareja dhe premtimi që novelën e tij ta kthente në roman. Premtimin, Kadareja e kishte mbajtur, të asaj nate pranë ndërtesës së Radio Tiranës, por Siliqi nuk e kuptoi kurrë se “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ekzistonte. “Në kërkim të së resë” mund ta përkufizonte më së miri Siliqin, por “na qeshi fati” tha dhe Lasgush Poradeci kur në drejtim të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, të vetmes në atë kohë, u vu Siliqi. Ky libër është i përbërë nga poezitë e zgjedhura të Siliqit, poezitë për fëmijë, artikujt dhe studimet letrare, si dhe mendimet e kritikës, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve për Siliqin dhe veprën e tij, duke u mbyllur me poezitë për Dragon.

Siliqi thoshte se për ‘njeriun tonë të sotëm, të zhvilluar (të kohës së tij), s’mjafton më regjistrimi dhe përgjithësimi i impulseve të përgjithshme shpirtërore, lidhur me kontrastin e së resë me të vjetrën’.  Ai kërkon një soditje më të hollë të këndeve të fshehura e të padepërtuara të individit me diapazon dhe me interesa shumë më të gjera, me rreze abstraksioni shumë më të fuqishme. Ja, kjo është pikërisht baza objektive e kërkimit të së resë në poezinë tonë, që kryesisht lind si reagim ndaj rutinës dhe uniformitetit. Çështja e të kërkuarit të së resë në letërsi ka qenë gjithmonë e dorës së parë për artistët e vërtetë. Vetëm nëpërmjet kërkimeve individuale të shkrimtarëve më të ndryshëm, letërsia ngrihet deri në shkallën e edukimit estetik të njerëzve, me anën e pasqyrimit të saj të veçantë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari i njohur kroat, Velimir Bujanec, ka publikuar një fotografi…