Propozimi i Kurtit për veteranët e UÇK-së, Klinaku: Përgjigjen e kemi gati, ia japim kur të kthehet nga ShBA-ja

28 korrik 2022 | 16:04

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka mbajtur dje mbledhjen e Kryesisë, në të cilën është diskutuar propozimi që ditë më parë i është dërguar nga kryeministri Albin Kurti.

Në këtë mbledhje është marrë vendim që OVLUÇK-ja  t’i kthejë me shkrim përgjigje Kurtit për propozimin e tij.

Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, i cili ka bërë me dije se përgjigjen e kanë gati dhe do t’i dërgohet Kurtit sapo të kthehet nga ShBA-ja.

Ai ka refuzuar të tregojë nëse do ta pranojnë ose refuzojnë propozimin e qeverisë, që bashkërisht të hartojnë një ligj të ri dhe të nisë procesi i verifikimit të veteranëve.

“Në mbledhjen e djeshme Kryesia e ka përkrahur që t’i kthehet përgjigjja me shkrim për propozimin”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se përmbajtja e përgjigjes do të kuptohet sapo t’i dorëzohet Kurtit.

Kujtojmë se kryeministri Kurti kohë më parë i ka dërguar një propozim me shkrim ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, sipas të cilit propozohet që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.

Ky propozim ka ardhur pas protestave të veteranëve pasi pensionet e tyre prej 170 eurove nuk u përfshin në rritjen e pagës minimale prej 264 eurosh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Andrew Harding, BBC Ushtarët në vijën e frontit në…