Protestat në ballkone, kërkohet përgjegjësi nga Kurti, falje nga Thaçi dhe tërheqje të mocionit nga LDK-ja

22 mars 2020 | 16:10

Organizatorët e “Replikës” ka bërë me dije se protesta në ballkone do të vazhdojë edhe sonte, duke filluar në orën 20:00 për 10 minuta, për të kërkuar që fokusi të kthehet menjëherë në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve të Kosovës deri në tejkalimin e situatës së krijuar nga koronavirusi

Kërkesat e “Replikës” dhe gjithë atyre që janë duke protestuar në ballkone të shtëpive janë: tërheqja  e mocionit të mosbesimit të LDK-së deri në tejkalimin e situatës së krijuar; përgjegjësi publike e Kryeministrit për shkaktimin e krizës në qeveri në kohë pandemie; distancim të partive politike opozitare (PDK, AAK, Nisma dhe AKR) nga lufta e tyre e verbër për pushtet në kohë pandemie, dhe kërkim falje dhe përgjegjësi publike nga presidenti për panikun e krijuar në Kosovë si pasojë e thirrjeve të tij të pa koordinuara mirë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Njoftimi i plotë “Replikës”:

Vazhdojmë me organizimin e 4-të të protestojmë n’ballkon!

Në Kosovë numri i rasteve me virusin COVID-19 ka arritur në 31. Këto 31 raste janë 31 jetë njerëzish. Rreziku për të pasur më shumë njerëz të infektuar me virus është edhe më i madh në këto dy javët e ardhshme. Skena politike fokusin e vetëm duhet ta këtë mobilizimin për mbrojtjen e qytetarëve nga virusi COVID-19.

Lojërat për momentin e kanë vendin në shtëpi për ta larguar monotoninë e izolimit, e jo në Presidencë, Qeveri dhe Parlament.

Më 22 mars nga ora 20:00 po protestojmë për 10 minuta (5 minuta më shumë) për të kërkuar fokus nga skena politike vetëm në virusin COVID-19 deri në tejkalimin e situatës të shkaktuar nga pandemia dhe për të kërkuar plotësim të kërkesave tona të cilat janë të listuara më poshtë.

Replikë, si nismëtare e këtij organizimi distancohet nga çdo organizim tjetër që organizohet nga partitë politike.

Kërkesat:

  1. Tërheqjen e mocionit të mos-besimit të LDK-së deri në tejkalimin e situatës së krijuar
  2. Përgjegjësi publike e Kryeministrit për shkaktimin e krizës në qeveri në kohë pandemie
  3. Distancim të partive politike opozitare (PDK, AAK, Nisma dhe AKR) nga lufta e tyre e verbër për pushtet në kohë pandemie
  4. Kërkim falje dhe përgjegjësi publike nga Presidenti për panikun e krijuar në Kosovë si pasojë e thirrjeve të tij të pa koordinuara mirë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Arsyet:

  1. LDK nuk mundet që në një kohë krize ta prish qeverinë për një person ose interesa partiake, duke u treguar plotësisht jo-racionale dhe duke i rrezikuar dhe futur ne panik qytetarët për të ardhmen e vendit në një kohë kur fokusi i vetëm dhe kryesor do të duhej të ishte mbrojtja nga virusi COVID-19. Çështjet e tjera mund të presin deri në tejkalim të kësaj situate. E rëndësishme dhe parësore duhet të jetë mirëqenia dhe shëndeti i qytetarëve. Kjo situatë e krijuar është duke ndikuar që qytetarët gjatë kohës që po përballen me mbrojtjen nga virusi, t’iu zvogëlohet besimi në institucione dhe të rritet paniku.
  2. Përkundër faktit që të gjithë e dimë se Agim Veliu është person që e vendos interesin partiak para interesit të përgjithshëm, Kryeministri nuk është dashur ta shkarkoj në këtë situatë të shkaktuar nga COVID-19, duke e ditur që shkakton krizë në qeveri dhe duke e njohur partnerin e koalicionit. Në fund të fundit, Veliu është pranuar nga Kurti si ministër edhe përkundër faktit se të gjithë i dim kapacitetet e tij. Shkarkimi i tij ka mundur të ndodhë pas tejkalimit të pandemisë duke mos shkaktuar krizë në qeveri gjatë kësaj situate.
  3. Partitë opozitare nuk munden me shfrytëzua këtë situatë të krijuar nga partitë qeveritare për të bërë fushatë elektorale, përkundrazi një opozitë e mirëfilltë kërkon që ta largoj vendin nga kriza në një kohë krize. Partitë opozitare nga fillimi i shkurtit në vend që të kërkojnë seanca për llogaridhënie të qeverisë për mbrojtje nga COVID-19, kanë vazhduar duke thirrur seanca për të bërë fushata elektorale dhe duke mbajtur fjalime të kota dhe jo-racionale.
  4. Presidenti i Kosovës nuk mund të dal në kohë krize në media dhe të propozoj gjendje të jashtëzakonshme pa u koordinuar mirë me Kryeministrin. Përmes asaj seance për media, qytetarët janë vendosur në panik duke mos e ditur as saktësisht çka do të ndodhë. Tash, presidenti deklaron se nuk kemi nevojë për gjendje të jashtëzakonshme. Kjo është përgjegjësi publike e Presidentit dhe duhet të kërkoj falje që i ka vendosur qytetarët në panik në situatë krize përmes lojërave të tij politike.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Java e parë e pranverës do të fillojë me kushte…