Protestë me kërkesë për përjashtimin e profesorit të dyshuar për ngacmime seksuale në UP

10 prill 2024 | 18:25

Lëvizja Feministe Studentore ka thirrur protestën e pestë me radhë për ditën e enjte, me kërkesën për largimin nga puna të profesorit Xhevat Krasniqi, i cili është akuzuar për ngacmime seksuale të studenteve.

Kjo Lëvizje ka njoftuar se të enjten në orën 11, Këshilli i Etikës i UP-së do të mblidhet për të shqyrtuar edhe një herë denoncimin për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë ndaj profesori Krasniqi, të cilin e ka trajtuar disa herë tashmë e për të cilin nuk ka marrë asnjë vendim.

“Ne nuk do të rreshtohemi me neglizhencën institucionale të UP-së dhe mosprioritizimin e sigurisë së grave dhe vajzave përmes së cilave po normalizohet ngacmimi seksual në hapësirat e UP-së”, thuhet në njoftim.

“Shoqe e shokë, ndonëse tashmë kemi parë rezultate të rezistencës tonë, ne nuk do të tërhiqemin nga kërkesat tona. Ne nuk mjaftohemi me reagime indiferente e jo-serioze nga UP-ja, andaj deri në përjashtim të profesorit Krasniqi, ne vazhdimisht do të përshkallëzojmë rezistencën tonë”, thuhet më tej.

Lëvizja ka insistuar se “Të pakënaqur/a e të revoltuar/a me jo-profesionalitetin e Këshillit të Etikës, duke e trajtuar rastin në kundërshtim të plotë me procedurat dhe rregulloret e UP-së, ne përkrah thirrjes për bojkotim të ligjeratave të planifikuara për nesër në të gjitha fakultetet e UP-së, ju ftojmë të na bashkangjiteni për bllokim të daljes së anëtarëve të Këshillit të Etikës nga ndërtesa e Rektoratit, deri sa të marrin një vendimi të drejtë e meritor për profesorin Krasniqi”.

“Studente e studentë, qytetare e qytetarë, ju ftojmë që për të pestën ditë me radhë të na bashkoheni në protestën gjithëditore para ndërtesës së Rektoratit. Posaçërisht, ju ftojmë të na bashkoheni në bllokadë nga ora 11:00 dhe bashkarisht të pamundësojmë daljen e anëtarëve të KE nga Rektorati, derisa të ushtrojnë kompetencat e tyre për të marrë një vendim të drejtë për profesorin Krasniqi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ky është momenti kur pasagjerët e një autobusi shpëtohen nga…