PSD-ja kërkon që Kuvendi të kthehet nga pushimi për shkak të dialogut

02 gusht 2018 | 14:13

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe deputetët e këtij institucioni që të kthehen nga pushimi për shkak të dialogut.

“Tashmë po dihet që Kuvendi ka caktuar përfundimin e sesionit pranveror. Edhe debati që iniciuam përfundoi pa ndonjë kalim të rezolutës. Deputetët shkojnë në pushim në një fazë tepër të rëndësishme për Kosovën, kur të gjitha vendet e botës flasin për zgjidhje të mundshme të dialogut, do të thosha me skenarë të rrezikshëm ku flitet edhe për ndarje dhe shkëmbime territoresh përderisa Kuvendi i Kosovës shkon në pushim”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka shkuar në Bruksel pa mandat.

“Republika e Kosovës është republikë parlamentare dhe nuk qëndrojnë ato që thuhet se nëse në anën tjetër është Vuçiqi, në anën tjetër duhet të jetë Thaçi sepse për nga organizimi politik ne dallojmë nga Serbia. Serbia është republikë semipresidenciale kurse ne puro parlamentare”, ka thënë Ahmeti.

Më tutje, Ahmeti ka thënë se rezoluta e Kuvendit të Kosovës e vitit 2012 e ka autorizuar kryeministrin që t’i udhëheq bisedimet me Serbinë.

“Jo vetëm që PSD-ja po kërkon që Kuvendi ta marrë rolin drejtues, por nëse duan të ndryshojnë diçka duhet të ndryshohet edhe rezoluta. Qeveria nuk mund ta heq këtë autorizim edhe pse kryeministri mund të shpreh dëshira të shkojë apo të mos shkojë në këto negociata. Ne si PSD, të gjithë deputetët i kemi këtu sepse nuk mendojmë se duhet të jemi në pushim në këtë fazë. Nuk mund të rrimë rehat dhe të shkojmë në pushime duke ditë se kush na përfaqëson. Koha e tryezave ka kaluar. Që të kemi tryezë nuk ka kohë dhe nuk e kuptojmë se si mundet Kuvendi të shkojë në pushim në këtë fazë. Neve po na vizitojnë edhe diplomatët e huaj”, është shprehur Ahmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Burim Ramadani,…