PSD-ja: Qeveria Kurti është armiqësuar me sindikatat që po kërkojnë rritje të pagave

13 maj 2022 | 15:59

Partia Socialdemokrate (PSD) ka akuzuar qeverinë Kurti për armiqësim me sindikatat të cilat duke kërkuar rritje pagash.

PSD-ja ka theksuar se masat që i ka marrë qeveria karshi situatës me çmime të ngritura janë konservatore.

“Jetesa në Kosovë është vështirësuar shumë. Brenda pak muajve të këtij viti çmimet e produkteve janë shtrenjtuar e si rrjedhojë edhe pagave iu ka humbur vlera. Përballë kësaj, reagimi institucional është i vonuar e gabuar. Masat që kjo qeveri ka ndërmarrë përballë krizës janë shtrënguese e konservatore – pikërisht e kundërta e nevojave të shumicës. Aq e vështirë jetesa sa shpresa mbetet vetëm ikja, nga ky rend, nga këto kushte, nga kjo jetesë e vështirë. Nuk e gjejnë zërin e solidaritetit tek institucionet këtu, por tek ‘tjetri’ i largët”, është thënë në reagimin e PSD-së.

Më tutje, PSD-ja ka deklaruar se kërkesat e sindikatave janë legjitime dhe duhet të miratohen nga qeveria.

“Në saje të papërgjegjësisë institucionale tash e dy ditë kemi greva të sindikatave, asaj të arsimit dhe të KEDS-it. Kërkesat e tyre, pos legjitime, janë të arsyeshme dhe të realizueshme; nga 100 euro rritje për çdo punëtor, kalimi i Ligjit të pagave dhe zbatimi i Ligjit për sigurime shëndetësore. Këto kërkesa po hasin në rezistencë, pritej që qeveria Kurti, si e majtë, natyrshëm t’i ketë aleat sindikatat. Çka sollën në fakt është një rend i ri veprimi, ku dialogu social shkatërrohet e sindikatat natyrshëm armiqësohen. Kështu vepruan kur kaluan ligjin për pagën minimale pa konsultim me kërkesat e sindikatave dhe organizatave të tjera civile; si pak qeveri në botë. Kriza ekonomike po bartet në shpatullat e shumicës që kanë pak, teksa udhëhiqen nga një qeveri që nuk i përfill. Nevojitet ndërhyrje e shpejtë dhe urgjente që pasojat e krizës të zbuten e jetesa të lehtësohet. Prandaj, kërkesat e sindikalistëve duhet të miratohen”, është thënë në reagimin e PSD-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla,…