PSG-ja synon përmbysjen e Cityt

04 maj 2021 | 11:28

Paris Saint-Germain po synon përmbysjen e rezultatit në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt.

Klubi francez e humbi ndeshjen e parë në “Parc des Princes”, por tash është përgatitur maksimalisht që të shënojë fitore dhe të kualifikohet në finale. Sulmuesi Neymar ka thënë se është i gatshëm që të vdesë në fushë vetëm që skuadra e tij të kualifikohet në finale.

“Ndeshja e parë kundër Manchester Cityt ishte shumë e vështirë, por ne duhet të besojmë, pavarësisht se çfarë thonë statistikat dhe përqindja e mundësive tona për të fituar. Unë jam në vijën e frontit dhe do të jem luftëtari i parë që i futet betejës për ekipin. Do ta jap më të mirën nga vetja dhe do të bëj gjithçka për ta arritur finalen, edhe në qoftë se duhet të vdes në fushë”, ka thënë Neymar.

Manchester City, që është në rrugë të mirë të shpallet kampion edhe në Angli, është gati të mos lejojë befasi në ndeshjen kthyese dhe të kualifikohet në finalen e madhe. Trajneri Pep Guardiola ka thënë se PSG-ja është një skuadër e jashtëzakonshme, por që City e ka synim kualifikimin. Strategu spanjoll është i bindur se ka ardhur koha që skuadra e Manchester Cityt të kualifikohet në finale. “PSG është një skuadër e jashtëzakonshme, të gjithë e kanë të qartë. Ata kanë potencialin për ta përmbysur rezultatin por, në të njëjtën kohë, jam i vetëdijshëm se sa mirë mund të paraqitemi ne. Duhet të zbresim në fushë me të njëjtin shpirt gare që luajtëm në Francë. Do të tentojmë të kalojmë në finale. Ka ardhur koha t’ia dalim”, ka thënë Guardiola.

Formacionet e mundshme:

Manchester City: Ederson; Walker, Dias, Stones, Zinchenko; Rodri, Gundogan, Silva; Mahrez, De Bruyne, Foden.

Paris Saint-Germain: Navas; Florenzi, Marquinhos, Kimpembe, Bakker; Paredes, Herrera; Di Maria, Verratti, Neymar; Mbappe.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
CERN dhe FERMILAB kërkojnë forcën e pestë fundamentale të fizikës,…