Punëtorët e administratës së gjyqësorit nuk e ndërpresin grevën

11 korrik 2018 | 15:45

Asllan Rusinovci nga Sindikata e Judikaturës ka shpalosur para anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, kërkesat që kanë grevistët e sistemit gjyqësor në lidhje me rritjen e pagave.

Ai ka thënë se nuk do ta ndalin grevën deri në realizimin e këtyre kërkesave.

Rusinovci ka theksuar se nga janari është kërkuar nga punëtorët që të ndërmerret diçka për t’ua përmirësuar kushtet punëtorëve të administratës në gjykata dhe prokurori.

Ndërsa Sadri Llumnica nga Prokuroria e Apelit, ka thënë se situata e punëtorëve të administratës është e rëndë, derisa ka kërkuar ndihmën e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion.

Në anën tjetër anëtarët e këtij komisioni pa dallim partie kanë përkrahur kërkesat e punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive të Kosovës.

Megjithatë, bashkë me Këshillin grevist të ftuar në Komisionin për Legjislacion ishin edhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, kryetari i KPK-së Blerim Isufaj dhe ai i KGJK-së, Nehat Idrizi.

Për këtë, kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu, e ka quajtur papërgjegjësi totale mos ardhjen e tyre në komision, ani pse kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ua ka konfirmuar përfaqësuesve të Këshillit Grevist se ata përkrahin plotësisht kërkesat e tyre.

Por, ai ka kërkuar që të arrijnë një zgjidhje me KPK-në dhe KGJK-në, që të fillojnë punën por me kusht që të realizohen kërkesat e tyre me ligjin për pagat.

Edhe deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, u ka thënë grevistëve se adresa e tyre është Qeveria, derisa ligjvënësit do t’i mbështesin kërkesat e tyre në Kuvend.

Për deputetin LDK-së, Korab Sejdiu, situata është e keqe, sepse pakënaqësitë nuk janë vetëm në sektorin gjyqësor, por edhe në sektorët tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në hapjen…