‘Punëtorët vijnë me pizhame e miniqa’, sindikata e RTK-së kërkon largimin e kryetarit të bordit

08 shtator 2023 | 12:14

Sindikata e Pavarur e RTK-së ka bërë një reagim publik, në të cilin ka denoncuar gjuhën seksiste që sipas tyre e ka përdorur kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Në reagimin e tyre, ata kanë theksuar se Boletini ka deklaruar se punëtorët e RTK-së shfaqen në punë me pizhame e minifunde.

“Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ashpër kundër deklaratës skandaloze të kryetarit të Bordit Besnik Boletini për punëtorët e RTK-së. Në takimin e Bordit të mbajtur me datë 6 shtator 2023, në praninë e vëzhgueses së Sindikatës si dhe të gazetares së BIRN-it, kryetari Besnik Boletini ka deklaruar: ‘Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë ‘check out’ dhe kjo është e papranueshme’”, është thënë në reagim.

Përmes reagimit të tyre, Sindikata e Pavarur e RTK-së ka kërkuar dorëheqjen e Boletinit.

“Pas këtyre veprimeve të njëpasnjëshme, skandaloze, sindikata kërkon nga kryetari Besnik Boletini që menjëherë ta lirojë postin e kryetarit të Bordit. Në të kundërtën ne si sindikatë do të ndërmarrim veprime radikale ligjore, përfshirë protestat dhe grevën”, është thënë në reagimin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së.

Në lidhje me këtë temë, ka reaguar edhe Besnik Boletini. Në një shkrim të gjatë, ai ka dhënë shpjegimin e tij. Boletini ka shkruar se termet e përdorura janë cituar pa u përpunuar. Pra, sipas Boletinit, termet e përdorura nuk kanë qenë konstatim i tij, por citime që prezantojnë një perceptim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania e njohur e derivateve, Petrol Company fillon lojën shpërblyese…