Punëtorëve të KEK-ut u dhurohet thëngjill për tejkalimin e krizës

11 tetor 2022 | 16:20

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) më 11 tetor ka filluar shpërndarjen e thëngjillit si dhuratë për punëtorët e saj.

Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së KEK-ut, tha se 3.600 punëtorë duke përfshirë edhe ata që janë pensionuar gjatë këtij viti, përfitojnë nga 8 deri në 10 tonë thëngjill falas.

“Shpërndarja e thëngjillit ka filluar pas kërkesës së Sindikatës së KEK-ut, në mënyrë që të ndihmohet tejkalimi i krizës energjetike,pasi punëtorët do ta përdorin këtë produkt për ngrohje duke reduktuar konsumimin e energjisë elektrike”, tha Llumnica për Radion Evropa e Lirë, më 11 tetor.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonelata linjit, që është lloji i thëngjillit, dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi.

Sasinë më të madhe të energjisë elektrike, Kosova e prodhon nga djegia e thëngjillit në termocentralet e Obiliqit.

Punëtorët e KEK-ut edhe në të kaluarën kanë marrë thëngjill nga kompania.

Por, në vitin 2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik pati marrë vendim për ndalimin e dhënies së thëngjillit si dhuratë për punëtorët e KEK-ut.

Ky vendim është shfuqizuar në fund të muajit shtator, nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka theksuar se e ka marrë këtë vendim “në mënyrë që punëtorët të ndihmohen për tejkalimin e krizës”.

Disa punëtorë konsiderojnë se kjo “dhuratë” do t’i ndihmojë sadopak familjet e tyre.

Hasan Tërrnava, 58 vjeç nga Prishtina, tha se këtë sasi të thëngjillit do ta përdorë për ngrohje për familjen e tij pesë anëtarëshe.

Tërrnava tregoi se vitet e kaluara familja e tij është ngrohur me energji elektrike.

Për shkak të paralajmërimeve për reduktime të energjisë elektrike, Tërrnava tregon se ngrohjen që, viteve të kaluara e ka bërë me energji elektrike, sivjet do ta bëjë me dru.

“Sasia e thëngjillit që ma ka dhënë KEK-u më ndihmon, sepse më nuk kam nevojë për të blerë lëndë djegëse. Drutë i kam siguruar edhe thëngjilli më mjafton për ngrohje gjatë këtij dimri”, thekson ai.

Kurse, kolegu i tij, i cili nuk dëshiroi të identifikohej, tha se këtë sasi të thëngjillit do ta shesë:

“Unë nuk ngrohem me thëngjill. Drutë i kam blerë. Thëngjillin do ta shes, këto mjete do t’i shfrytëzoj për nevojat tjera të familjes”.

Sipas punëtorëve të KEK-ut, kamioneta me 10 tonë thëngjill kushton deri në 150 euro.

Sipas Ligjit për miniera dhe minerale, licencën për eksploatimin e thëngjillit në Kosovë e ka vetëm Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Rrjedhimisht, askush tjetër nuk ka të drejtë ligjore të eksploatojë dhe shesë thëngjill pa licencë të shfrytëzimit.

Por, në mjaft vende në Prishtinë, thëngjilli për ngrohje shitet në formë jolegale.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës.

Ekzekutivi u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë rrymën gjatë dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të ulet.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B, mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Diferenca tjetër sigurohet nga importi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është në përgatitje të një…