Pushkolli: Dëmet nga automjetet e pasiguruar kapin shifrën mbi 27 milionë euro

09 gusht 2018 | 11:56

Drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Blerim Pushkolli, ka mbajtur të enjten konferencë për medie, në të cilën ka diskutuar për sfidat më të cilat përballët Kosova për anëtarësim në Byronë Ndërkombëtare të Sigurimeve, si dhe sfidat më të cilat përballët BKS-ja, ku një ndër sfidat është edhe automjetet e paregjistruara.

Pushkolli ka bërë me dije se numri i veturave të pasiguruara në trafik është në mes 35 mijë deri në 50 mijë.

Sipas tij numri kaq i lartë i automjeteve të paregjistruara është për shkak të kushtëzimeve që po u bëhen qytetarëve të Kosovës, duke i detyruar që t’i paguajnë shpenzimet komunale, si ujë dhe mbeturinat.

Gjithashtu ai ka theksuar se kjo po ndodh edhe për shkak të moszbatimit të Ligjit për konfiskim të automjetit të paregjistruar. “Automjetet e pasiguruara shkaktojnë rreziqe në komunikacion dhe më këtë dëmtohet edhe buxheti. Dëmi që paguhet nga Fondi i Kompensimit është tejet i madh dhe nga viti 2010 ky dëm kap shifrën e mbi 27 milionë eurove”, ka deklaruar ai.

Kurse sa i përket Kartonit të Gjelbër, Pushkolli ka pohuar se janë plotësuar kushtet nga kompanitë e sigurimit, mirëpo kushti kryesor është anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Po ashtu sipas tij pengesë tjetër është edhe numri i madh i veturave të paregjistruara në Kosovë. “Së fundi kemi marrë një përgjigje nga shoqata e automjeteve në Austri e cila ka kundërshtuar që ky shtet ta mbulojë Kosovën me karton të gjelbër”, ka deklaruar ai.

Pushkolli ka thënë se BKS-ja është duke operuar me humbje për shkak të dëmeve të mëdha që duhet të paguhen nga Fondi i Kompensimit për automjetet e pasiguruara. “Për periudhën janar -qershor të këtij viti të hyrat nga primet e sigurimeve ishin 2.4 milionë euro, pagesat 2.7 milionë euro, kurse shpenzimet mbi 916 mijë euro”, është shprehur ai.

Drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit ka bërë me dije se janë të obliguar që në 14 pika kufitare të shesin polica kufitare, dhe sipas tij nëse asnjë automjet nuk e përmbush këtë detyrim nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës.

Sa i përket kartonit të gjelbër si lehtësi për këtë policë,  ai ka theksuar se nga 19 maji i këtij viti kjo policë mund të blihet online.

Pushkolli ka mohuar që kolonat e gjata po krijohen në kufi nga mërgimtarët për shkak të blerjes së policës në kufi.

Në pyetjen pse sistemi online nuk po ndikon në uljen e kolonave në kufi, Pushkolli ka deklaruar se nuk ka pasur mjaftueshëm kampanja për informim të mërgimtarëve.

Gjatë kësaj konference po ashtu Pushkolli ka folur për ndryshimin e ligjit për importim të veruarve më të vjetra se dhjetë vjet. Ai ka thënë se automjetet e vjetra paraqesin rrezikshmëri në komunikacion dhe nuk të jenë pro lejimit të tyre.

/Epoka e re/ Albulena S. MAVRAJ

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëntë persona kanë vdekur në mëngjesin e së enjtes pasi…