Pushteti zotohet të krijojë xhandarmëri, Musliu: Kur s’ke çfarë t’u ofrosh qytetarëve në ekonomi e mirëqenie, prodhon propagandë

19 maj 2026 | 13:33

Propagandë elektorale, e ka quajtur Ganimete Musliu e Partisë Demokratike të Kosovës zotimin e ri tashmë të pushtetit për krijim të xhandarmërisë për ruajte të kufirit me Serbinë.

Musliu ka thënë se vendi ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, e jo “struktura të reja për propagandë elektorale.”

“Qytetarët sot kanë nevojë për vende pune, ulje të çmimeve, zhvillim ekonomik dhe siguri reale, jo për propagandë të re, nocione të reja dhe mashtrime të sofistikuara”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Postimi i plotë:

KUR NUK KE ÇKA T’U OFROSH QYTETARËVE NË EKONOMI, MIRËQENIE DHE ZHVILLIM, ATËHERË NIS PRODHIMIN E “STRUKTURAVE TË REJA” PËR PROPAGANDË ELEKTORALE.

Pas katër vitesh qeverisjeje me shumë zhurmë e pak rezultate, sot po na shitet edhe “Xhandarmëria” si sukses i madh.

Kosova ka nevojë për shtet funksional, polici profesionale dhe institucione efikase, jo për iniciativa të nxituara që duken më shumë si spektakël politik para zgjedhjeve.

Siguria nuk ndërtohet me konferenca e postime në Facebook, por me strategji serioze, koordinim institucional dhe mbështetje për Policinë e Kosovës, e jo me krijim strukturash paralele për konsum ditor politik.

Qytetarët sot kanë nevojë për vende pune, ulje të çmimeve, zhvillim ekonomik dhe siguri reale, jo për propagandë të re, nocione të reja dhe mashtrime të sofistikuara.

Na duhen uniforma të reja për policët, këpucë të papërshkueshme nga uji, sigurime shëndetësore dhe jetësore për policë e ushtarë, si dhe paga të dinjitetshme, që policët e ushtarët të mos punojnë ditën policë, e natën kamarierë apo taksistë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Santosit, Neymari, do të paraqitet në Kupën e…