PZAP-i pranon pesë ankesa për parregullsi në numërimin e votave të zgjedhjeve të 7 qershorit
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar pesë ankesa lidhur me pretendimet për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.
Ankesat janë dorëzuar në këtë organ pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas të dhënave të publikuara nga PZAP, ankesat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lista Serbe (Srpska Lista) dhe Nova Demokratska Stranka (NDS).
Nga pesë ankesat e pranuara, dy janë dorëzuar nga PDK-ja, dy nga NDS-ja, ndërsa një nga Lista Serbe.
Pas vendimit të PZAP-së, palët kanë të drejtë ankese edhe në Gjykatën Supreme. Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave, KQZ-ja mund të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe të hapet rruga për formimin e institucioneve të reja.




