Qalaj pas bojkotit të Listës Serbe për shkarkimin e kryetarëve në veri: Sinjal për tensionim, goditën ndërkombëtarët

10 prill 2024 | 14:11

Në muajin prill të 2023-ten përmes zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

Lista Serbe pati bojkotuar procesin duke bërë thirrje që qytetarët serb të mos dalin për të votuar.

Edhe pas një viti kjo parti po vepron njëjtë, por për shkarkimin e kryetarëve.

Lista Serbe të dielën ka bërë thirrje që më 21 prill qytetarët serb të bojkotojnë procesin e shkarkimit.

Këto qëndrimet e partisë më të madhe serbe janë paralajmërime për tensionim të situatës së sigurisë në vend, sipas njohësve për çështjen e sigurisë.

Ish-drejtori i Policisë, njëherësh anëtar i Komisionit për Siguri, Rashit Qalaj thotë për “Front Online” se Serbia po provon të krijojë tensione në veri.

“Këto janë sinjale nga ana e Serbisë, për një mundësi për tensionim tjetër në veri. Vuçiq ka nisur një rrugë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, ka caktuar një grup punues i cili do të bëjë përpjekje diplomatike. Serbia do të provojë të krijojë tensione të reja në veri, të cilat këto tensione të cilat më së shumti e dëmtojnë komunitetit serb atje”, deklaroi Qalaj.

Ish-drejtori i Policisë thotë se Lista Serbe ka goditur ndërkombëtarët me vendimin për bojkot.

Qalaj deklaron se me këtë veprim partia e serbëve po shkakton presion tek qytetarët për zgjedhjet e ardhshme.

“Vendimi i Listës Serbe është një goditje për partnerët ndërkombëtarë, pasi kanë qenë shumë të zëshëm dhe ka qenë kërkesë e Brukselit që kryetarët që janë të zgjedhur në zgjedhjet lokale të shkarkohet me anë të një peticioni dhe kjo është e organizuar dhe vjen nga ndikimi që e bënë Qeveria serbe, që të bëjë presion tek popullata lokale në veri që ata të mos emancipojnë në zgjedhjet e ardhshme”, theksoi Qalaj.

Njohësi i sigurisë: Lista Serbe po përgatit bojkotin e zgjedhjeve të ardhshme, pritët tensionim i veriut

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi në një prononcim për Front Online ka folur lidhur me qëndrimet e Listës Serbe për mos votimin e shkarkimit të kryetarëve shqiptar në veri.

Ai tha se kjo parti po përgatit bojkotin e zgjedhjeve të ardhshme në atë pjesë të Kosovës.

Sipas tij, së shpejti mund të trazohet sërish veriu nga bandat kriminale.

Elezi deklaron se serbët nuk janë të gatshëm për bashkëpunim deri të themelohet Asociacioni.

“Këto veprime janë tregues të qartë që serbët po përgatiten të bojkotojnë zgjedhjet në veri që planifikohen të mbahen. Dhe me këto veprime po përgatiten për një mundësi që të tensionojnë situatën e sigurisë. Serbët nuk janë të gatshëm për asnjë bashkëpunim ose veprim deri sa të themelohet Asociacioni. Do të kemi parapërgatitje për organizimin e protestave për çështjen e të drejtave të serbëve”, u shpreh Elezi për Front Online.

Katër anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor nga Lista Serbe iu përgjigjen pozitivisht thirrjes për bojkot duke dhënë dorëheqje.

Sipas udhëzimit, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prej vitit 2021, Serbia po kërkon me ngulm të blejë…