Qasja e Hasan Prishtinës ndaj kundërshtarëve politikë, një mësim që mungon sot

30 maj 17:40

Nga Mehmet PRISHTINA, Phd.Kandidat, Universiteti i Vjenës

Kosova aktualisht ka filluar të ndjek një politikë më dinjitoze në raport me Beogradin, mirëpo ajo ka nevojë që qasjen ndaj Serbisë ta zhvillojë në frymën e ideologjisë së Hasan Prishtinës, i cili kishte qëndrime të kristalta ndaj fqinjëve grabitqarë të shqiptarëve dhe oponentëve politikë, dhe ai me zgjatësi arrinte t’i diferenconte këto dy qëndrime, duke mos e futur edhe grurin edhe egjrën në të njëjtin thes.

A ka një koherencë midis zhvillimeve në terren dhe mendimit politik? Me këtë çështje janë marrë studiues të ndryshëm të politikës, por nëse i hedhim një vështrim komparativ situatës së tanishme me disa zhvillime më të hershme (gat para një shekulli) brenda hapësirës shqiptare, rezulton që mendimi politik shqiptar ka qenë i kristalizuar në disa pikëpamje të Hasan Prishtinës, sidomos në raport me serbët.

Tani kur Kosova po kalon momente dramatike në përforcimin kapaciteteve shtetndërtuese, referuar edhe situatës më të re kur institucionet e Prishtinës zyrtare po mundohen të shtrijnë gjithë fuqinë e sovranitetit shtetëror në të gjithë territorin, përfshi edhe pjesët e banuara me serbë, del Serbia dhe bëhet avokate e strukturave kriminogjene në veri të Kosovës, duke e prezantuar aksionin e Policisë së Kosovës si gjoja terror mbi popullatën serbe.

Është po ajo Serbi, ngjashëm si në fillim të shekullit të kaluar, e cila kishte qasje tejet destruktive në raport me institucionet legale të shtetit shqiptar, i udhëhequr nga Ahmet Zogu. Po qese i referohemi shtypit evropian të kohës, do të shohim se edhe atëherë Serbia luante rolin e avokatit ndaj eksponentëve të saj që ishin në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe fuqinë zbatuese të tyre. Por, ishte mprehtësia dhe vizionariteti i ideologut Hasan Prishtina që prishte këto skema paragjykuese të Beogradit ndaj shqiptarëve.

Në një intervistë të botuar në gazetën franceze “La Liberté”, më 8 korrikut 1927, Hasan Prishtina, duke folur në lidhje me një incident që kishte ndodhur asokohe, e që kishte të bënte me arrestimin e përkthyesit të legatës jugosllave në Tiranë, Vuk Gjurashkoviq, për çështje spiunazhi, shpërfaqi qysh atëherë virtyte të larta morale e politike, që nuk po mundemi t’i hasim sot në jetën politike.

“Unë jam një kundërshtar i ashpër i Ahmet Zogut, por duhet të pranoj se këtë herë ai ka vepruar, me të vërtetë, në mënyrë të arsyeshme”, thoshte në atë intervistë Hasan Prishtina, duke shprehur në këtë mënyrë shpirtgjerësinë e një politikani dhe ideologu patriot, për të cilin interesat kombit ishin mbi të gjitha, pa marrë parasysh se kush është në pushtet. Qëndrimi i Mbretit Zog ndaj një spiuni serb në Tiranë, konsiderohej shumë korrekt nga ana e Hasan Prishtinës dhe ky është mësimi që duhet ta ndjekin edhe politikanët e sotëm. Për Hasan Prishtinën më i rëndësishëm ishte produkti final i një vendimi shtetëror për të dëbuar spiunin serb, se sa hatërmbetja dhe zënka për të përfituar poena të lirë politikë tek ithtarët dhe mbështetësit e tij.

Raportet e Kosovës me Serbinë aktualisht përcillen me ndërskamsa dhe paragjykime që pala serbe i konstrukton në vazhdimësi. Mendësia serbe për të prodhuar armiq shqiptarë përmes propagandës hileqare, ka bërë që edhe një pjesë e shtypit Perëndimor të bie në grackën e kësaj hileje të Beogradit. Se kjo propagandë ka qenë gjithmonë prezentë, dëshmon edhe qasja e kësaj gazete që kishte zhvilluar intervistë me Hasan Prishtinën.

“A është e vërtetë se Shqipëria përbën një rrezik për Evropën”, e pyeste asokohe gazeta franceze Hasan Prishtinën.

“Ky lajm është përhapur nga disa gazeta në Beograd. Por, për të kuptuar se kjo është vetëm një zhurmë tendencioze, duhet të kujtojmë se këto gazeta filluan të flasin për rrezikun vetëm ditën kur Shqipëria u bë e pavarur nga politika e Beogradit”, nënvizonte Hasan Prishtina, i cili qysh atëherë demaskonte brutalitetin serb ndaj shqiptarëve.

“Si mund të flitet për ‘vëllazërim’ mes jugosllavëve dhe shqiptarëve, nëse Beogradi vazhdon politikën e tij të përndjekjeve kundër shqiptare? Z. Ferat Draga, deputet nga Kosova, u dënua me 20 vjet burg sepse… ai donte të mbronte të drejtat e shqiptarëve. Mund të ju japim një listë të gjatë persekutimesh kundër shqiptarëve… Në këto kushte, si të arrihet një ‘vëllazëri ballkanike’”?, përgjigjej Hasan Prishtina në pyetjen se “çfarë mendoni për formulën që përsëritet kaq shpesh: Ballkani për popujt e Ballkanit?”.

Kosova aktualisht ka filluar të ndjek një politikë më dinjitoze në raport me Beogradin, mirëpo ajo ka nevojë që qasjen ndaj Serbisë ta zhvillojë në frymën e ideologjisë së Hasan Prishtinës, i cili kishte qëndrime të kristalta ndaj fqinjëve grabitqarë të shqiptarëve, në njërën anën, dhe oponentëve të tij politikë, në anën tjetër. Ai me zgjuarsi arrinte t’i diferenconte këto dy qëndrime, duke mos e futur edhe grurin edhe egjrën në të njëjtin thes.

Edhe në rrugëtimin tim modest, jam munduar që këto qasje të Hasan Prishtinës t’i vë në përdorim, sidomos në ato raste kur kam dashur ta refuzojë betejën brenda shqiptare për tema e probleme të kota. Konsideroj se ne si komb kemi shumë më shumë çështje që na bashkojnë se sa na ndajnë, prandaj kemi nevojë t’iu kthehemi korifenjve të mendimit politik shqiptar, sidomos Hasan Prishtinës, i cili është modeli më i përkryer i ideologut që nuk parapëlqente të mos shihte pyllin për shkak të një lisi.

Prishtinë,

30 maj 2019

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen ka…