​‘Qazim Qeska do të mbetet një nga luftëtarët e paepur për drejtësi’

25 shkurt 2024 | 14:14

Ish-kryetari i Komunës së Rahovecit, Qazim Qeska, besonte se liria nuk kishte kuptim nëse njerëzit jetonin me padrejtësi, prandaj do të mbetet përgjithmonë një nga luftëtarët e paepur për drejtësi.

Këto vlerësime janë dhënë për Qeskën në seancën komemorative, në nderim të kontributit të tij për Rahovecin.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se Qeska ecjen në jetë nuk e kishte të zhurmshme por vdekja e tij ka tronditur Rahovecin. Latifi e ka përshkruar Qeskën si një njeri të kujdesshëm e të qasshëm, shkruan “KosovaPress”.

“Të gjithëve na pikëlloi shumë vdekja e këtij personaliteti. Vdekjet janë gjithmonë të ftohta e të zymta. Qazim Qeska ecjen në jetë nuk e kishte të zhurmshme por vdekja e tij e tronditi Rahovecin. Ndikimi i tij në rrjedhat politike të pas luftës ka qenë evident dhe i qasshëm, ai dha gjak nga gjaku i tij për këtë tokë. Qeska e dinte mirë e kujdesshëm të ndërtonte raportin me njerëzit. Ai dha shembull se si duhet ndërtuar një shoqëri e mirë”, ka thënë Latifi.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Rahovecit, Arbër Zenuni, ka thënë se Qeska ishte dhe do të mbetet një figurë e rëndësishme për Rahovecin.

Në anën tjetër, ish-kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka thënë se Qazim Qeska ka lënë një trashëgimi të pasur të veprës së dal nga puna dhe angazhimi i tij por edhe kujtime të pafundme për vlerat e tij njerëzore si njeri paqedashës, shumë punëtor e atdhedashës.

“Dëshira e madhe për t’u arsimuar dhe pasioni për fushën e drejtësisë, përveç që e bëri të sfidojë vështirësitë e kohës, e bëri edhe një nga mbrojtësit më të denjët të drejtësisë. Ai besonte se liria nuk kishte kuptim nëse njerëzit jetonin me padrejtësi ngado që vinte ajo, prandaj do të mbetet përgjithmonë një nga luftëtarët e paepur për drejtësi. Atdhedashurinë Qazimi e shihte në punën e mirë e të ndershme të secilit, duke qenë i kujdesshëm që përveç këshillave vet të bëhet shembull më i mirë dhe të jap mesazhin që dëshironte”, ka thënë Vehapi.

Në emër të familjes, të pranishmit i ka përshëndetur djali i të ndjerit Qeska, Xhemali, i cili ka thënë se babai i tyre i ka dhënë këshilla që t’i ndihmojnë të gjithëve.

“Babai im ishte i sëmurë vetëm dy ditë dhe brenda dy orëve na la shpejt, na la të pikëlluar, nuk na la asnjë amanet, por na ka dhënë këshilla që të jemi të urtë, të butë dhe t’i ndihmojmë prej familjes, më të voglit deri te më i moshuari”, ka thënë ai.

Ceremonia e varrimit do të bëhet në orën 14:00, në varrezat e qytetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bjellorusia po mban sot zgjedhje parlamentare dukshëm të kontrolluara dhe…