Qëllimi dhe mënyra e kryerjes së krimit: gjenocidi dhe masakra

21 maj 2019 | 22:41

Bardhyl Mahmuti

-Shkrim drejtuar gazetarëve dhe atyre që merren me politikë (2)

Duke e nxjerrë në rend të parë mënyrën se si është kryer krimi (masakrimin), ne e zhvendosim në rend të dytë atë që është thelbësore: QËLLIMIN.

Përvjetorët e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë sjellin tmerret që ka përjetuar populli shqiptar nga zbatimi i politikës së gjenocidit serb.
Miratimi i Rezolutës për Gjenocidin serb nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës shënon një moment të veçantë në përvjetorët e organizuara në vitin 2019.
Edhe pse ideja për miratimin e rezolutës për gjenocidin serb dhe për krijimin e një tribunali ndërkombëtar për ndëshkimin e kriminelëve të implikuar në krimet gjatë luftës në Kosovë vuri në rend të ditës nocionin gjenocid, fjala masakër mbetet termi që dominon në interpretimin e asaj që ka ndodhur në Kosovë.
Duke qenë i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e harmonizimit të terminologjisë që përdorim, po shkruaj këtë shkrim për të sqaruar atë që i dallon këto dy nocione.

Që në fillim duhet ta përmendim se me gjenocidi nënkuptohet kryerja e cilitdo nga krimet e numëruara në nenin II të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit që kanë për QËLLIM të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si të tillë.
Pra, që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë të kualifikohet si krim të gjenocidit serb, në rend të parëduhet të dëshmohet se QËLLIMI i vrasjeve, i dhunës seksuale dhe i dëbimit të popullsisë ka qenëshkatërrimi i tërësishëm ose pjesshëm i shqiptarëve si grup kombëtar, etnik e fetar.

Të mos harrojmë se në kualifikimin e një akti si krim të gjenocidit nuk ka rëndësi mënyra si janë bërë vrasjet,dhuna seksuale dhe dëbimi i popullsisë:VETËM QËLLIMI PËRCAKTON KUALIFIKIMIN E KRIMIT.
Për këtë arsye duhet shumë më shumë të fokusohemi në QËLLIMIN e vrasjeve, dhunës seksuale dhe dëbimit të popullsisë se sa në mënyrën si janë kryer këto krime. Fatkeqësisht në hapësirën tonë politike dhe mediatike mbizotëron e kundërta.

Për ilustrim po përmend shembullin e përdorimit të termit “masakër”. Jo vetëm në fjalët që mbahen në rastet përkujtimore dhe në dekorin shoqërues të këtyre tubimeve, por edhe në shkrime dhe libra kushtuar këtyre akteve gjenocidare serbe dominon fjala “masakër”.

Fjala “masakër” ka origjinë gjermane (matsken/metzgern) që do të thotë kasaphane, therje kafshësh. Kjo fjalë ka gjetur shtrirje semantike edhe në rastet kur viktimat e krimeve gjymtohen dhe ky nocion ka të bëjë vetëm me mënyrën se si është kryer krimi.

Sado të dhembshme që të jenë për çdonjërin prej nesh mënyrat e vrasjeve, e dhunimeve dhe e dëbimeve, këto çështje nuk çojnë peshë për t’i kualifikuar krimet si akte të gjenocidit. Përkundrazi, duke e nxjerrë në rend të parë mënyrën se si është kryer krimi (masakrimin), ne e zhvendosim në rend të dytë atë që është thelbësore: QËLLIMIN. Madje disa herë as nuk e përmendim fare!

Për këtë arsye ne duhet të harmonizojmë kualifikimet dhe të dalim me një qëndrim që dëshmohet se në zbatimin e politikës gjenocidare në Kosovë forcat e armatosura të Serbisë kanë kryer qindra AKTE GJENOCIDARE në Likoshan, në Qirez,në Prekaz,në Abri, në Reçak, në Krushëtë Vogël, në Krushëtë Madhe, në Suharekë, në Gjakovë, në Izbicë, në Grashticë, në Mejë,në Qyshk, në Burgun e Dubravës dhe në qindra vendbanime tjera të Kosovës, gjatë të cilave u vranë dhe u masakruan civilë shqiptarë me QËLLIM QË TË SHAKTËRROHET SHQIPTARI SI I TILLË.
Vetëm në këtë mënyrë mund të nxjerrim në rend të parë atë që është e rëndësishme: QËLLIMIN E AKTIT KRIMINAL!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, i ka…