Qendra Kulturore Shqiptaro-Suedeze “Okarina” nderoi Epopenë e UÇK-së

07 mars 2022 | 13:15

Dje, Qendra Kulturore Shqiptaro-Suedeze “Okarina” ka organizuar në Malmö të Suedisë një program kulturor në përkujtim të 24-vjetorit të rënies së familjes Jashari, komandantit legjendar Adem Jashari dhe në nderim të gjithë Epopesë heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Programi filloi me himnin kombëtar, vazhdoi me përshëndetjet, kujtesën historike dhe përfundoi me pjesën muzikore që pati për tematikë qëndresën e UÇK-së.

Përshëndetën: profesori muzikës Bashkim Jashari (drejtues i “Okarinës), Hysret Kyqyku (veteran i luftës, i burgosur politik) dhe profesor Rexhep Jashari. Përveç përshëndetjes prof. Jashari vlerësoi lart kontributin e familjes Jashari dhe të UÇK-së për lirinë e Kosovës.

Një vështrim sintetizues historik mbi rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, që prej ndarjes tragjike nga tërësia e vet pas Lidhjes së Prizrenit e deri të fitorja e UÇK-së e pavarësia më 17 shkurt 2008, e paraqiti profesor Qerim Kryeziu.

Në kronikat e gjata të luftërave të pareshtura për liri e pavarësi, lufta e UÇK-së përbën epilogun më të suksesshëm të qëndresës sonë kombëtare e shtetformuese. Ngase UÇK-ja, e vetme u fut në luftë, bëri aleat të fortë (NATO-n) dhe e fitoi luftën duke arritur madje ti diktoi armikut afat të shkurtër për t’u shporrur në theqafje njëherë e përgjithmonë nga Kosova.

Pastaj filloi programi muzikor me këngëtarët e instrumentistët shqiptarë që jetojnë në Suedi. Të parët dolën në skenë grupi i rapsodëve të Halmstadit me këngëtarin e njohur (pjesëmarrës i disa Festivale Folklorike në Gjirokastër e Berat) Enver Ismailin. Në grupin e këngëtarëve nga Halmstadi ishin edhe Ferat Mehaj, Islam Ibrahimi dhe Naim Voca.

Këngëtari Beqir Shaqiri këndoi këngën “Moj Shqipëri mos thuaj mbarova” kurse këngëtarët e “Prishtina Band”-it Met Zhuniqi (solist), Bashkim Krasniqi e Rexhep Fuga (instrumentistë) kënduan për Adem Jasharin e luftën e UÇK-së. Kënga e fundit e programit zyrtar muzikor ishte ajo e Hamdi Goxhulit “Mora fjalë”. Ashtu siç ishte konceptuar, programi në nderim të tri datave historike 5 , 6 dhe 7 Marsit heroik të vitit 1998 edhe u realizua me sukses si ngjarje e mirëfilltë kulturore, e treta më radhë për vitin 2022, pas shënimit të “Flakës së Janarit” dhe kremtimit solemn me një koncert shumë të bukur të këngëtares Shkurte Fejza për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Qendra Kulturore Shqiptaro-Suedeze “Okarina” mban në kondicion të mirë jetën kulturore të komunitetit shqiptar në Suedi, duke kremtuar me respekt datat e festat e rëndësishme të historisë sonë, duke i shfaqur vlerat etno-muzikore shqiptare edhe për publikun kureshtar suedez dhe duke pasuruar diversitetin kulturor e shpirtëror të dy kombeve.

Aktiviteti u mbajt në ambientin e Qendrës Kulturore të Kosovës në Malmö/Suedi.

(Qerim Kryeziu)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, për nder…