Qëndrimet e LDK-së janë parimore dhe konsistente që nga dita e parë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dështimit të tretë me radhë brenda ditës të kandidatëve të Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit, përfshirë edhe deputetin Dimal Basha.
Ai tha se situata e krijuar tregon nivelin e rënë dhe se qytetarët tashmë po e shohin qartë këtë gjendje.
“Pse po habiteni? Ky edhe është niveli i tyre. Kjo është derexheja në të cilën kemi ra si vend. Këta janë njerëzit me të cilët pretendojnë të udhëheqin këtë shtet. Ju përçmojnë; prandaj dhe me përçmim ju përfaqësojnë”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”
Duke folur për pozicionin e LDK-së, ai ka thënë se partia e tij ka qëndruar në të njëjtin kurs politik prej fillimit, duke e bazuar çdo vendim mbi parime e konsistencë.
“Qëndrimet e LDK-së janë parimore dhe konsistente që nga dita e parë. Sepse janë të tilla, edhe po qëndrojnë mbi lojërat patetike politike. Pa marrëveshje nuk mund të ketë shumicë. Pa marrëveshje nuk mund të ketë votë – për askend dhe asnjërin! Marrëveshje uniteti ofruam, nuk e deshën. Tani le të bartin përgjegjësinë e bllokimit. Jemi të bindur gjithsesi, se duke sharë e ofenduar në vazhdimësi, nuk do të ndryshojnë mendimin e asnjërit”, ka shkruar Abdixhiku.



