Qeveria e humb një votë, Labinot Tahiri drejt Vetëvendosjes

25 qershor 2018 | 21:58

Qeveria e Kosovës shumë shpejt do ta ketë një votë më pak në Kuvendin e Kosovës.

Aleancën Kosova e Re, e cila bën pjesë në koalicionin qeverisës të vendit, gjatë ditëve të ardhshme do ta braktisë një deputet i saj.

Pas Korab Sejdiut, partinë e udhëhequr nga Behgjet Pacolli do ta lërë edhe Labinot Tahiri, i njohur më shumë në publik si Labi.

Tahiri pritet të kalojë në opozitë, në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që udhëhiqet nga Albin Kurti.

Është vetë Tahiri që e ka konfirmuar një gjë të tillë, në një bisedë me Gazetën Express.

Ai ka thënë s’e ende s’e ka bërë hapin përfundimtar, por që kjo pritet të ndodhë “shumë shpejt”.

“Jam duke diskutuar me miq, dhe e kuptoj që këshilltarët e rinj janë shumë të mençur. Konsultohem edhe me njerëz të historisë, që kanë njohuri për Kosovën dhe për kombin”, është shprehur Tahiri.

Ai ka thënë se me Vetëvendosjen tash për tash është në negociata.

Tahiri ka treguar se AKR-në ka vendosur ta lërë, për shkak të shumë pakënaqësive me të, për të kaluar në VV, me të cilën, siç ka thënë ai, e lidh aspekti kombëtar.

“Jam në negociata, duke diskutuar me disa miq prej VV’së”, ka treguar ai.

“Çështja është që emri i Albinit s’përmendet askund për korrupsion, dhe unë jam person i pakorruptuar, dhe nuk dua ta kem një imazh të tillë në të ardhmen”, ka thënë Tahiri. .

“Çdo person që jam munduar ta mbroj në aspektin politik, e kam bërë në aspektin kombëtar… Duke u bazuar te Ramushi, unë e njoh vetëm në aspektin kombëtar, por këto gjëra që i bën, nesër i dalin që ka gabuar, unë më nuk e njoh”, është shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, respekti për shqiponjën dykrenare…