Qeveria Kurti, më e dobëta që nga shpallja e pavarësisë

14 gusht 2022 | 14:05

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se jeta e qytetarëve me qeverinë Kurti është bërë më e vështirë.

Lekaj në këtë intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës gjendja nuk ka qenë më e keqe. “Qeveria Kurti e mori mbështetjen masive duke proklamuar shpresë për të rinjtë, vende të reja pune e jetë më të mirë. Që nga marrja e detyrës së kësaj qeverie, po shohim që gjendja ka ndryshuar për të keq në çdo fushë në vend”, është shprehur Lekaj, duke shtuar se qeveria Kurti është e paaftë ta zgjidh krizën energjetike në vend.

“Kemi bllokim të buxheteve komunale nga paaftësia apo inati i pushtetit qendror. Kemi rritje të inflacionit prej 14 për qind, e ku pavarësisht kërkesës sonë për largim të TVSh-së në produktet bazike, qeveria ka heshtur. Shohim se gjendja me energji elektrike kurrë nuk ka qenë më e keqe pas pavarësisë se sa tani. Kemi reduktime e shtrenjtim të energjisë për qytetarët që paguajnë energjinë por jo edhe për ata në pjesën veriore, ku vetëm para pak ditësh qeveria i ka ndarë 40 milionë për atë pjesë”, është shprehur Lekaj.

Më tutje, Lekaj në këtë intervistë ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për luftë.  Sa i përket dialogut, Lekaj ka thënë se qeveria Kurti ka qasje të gabuar. “Kurti duhet të insistojë në një dialog ku diskutohet për marrëveshjen finale me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e ShBA-së”, ka deklaruar Lekaj.

Ndërsa deklaratën e Kurtit për rrezikun e një luftë me Serbinë, Lekaj e ka quajtur të pamatur dhe absurde. “Kosova ka institucione kredibile të sigurisë dhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, të cilat garantojnë stabilitet dhe ruajnë kufijtë e vendit. Sa i përket deklaratave të kryeministrit për rrezikun për luftë, unë i konsideroj të pamatura dhe absurde”, ka thënë Lekaj.

“Epoka e re”:  Z. Lekaj si i vlerësoni zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë?
Lekaj: Jemi dëshmitar se në dy vitet e fundit jeta e qytetarit të Kosovës është bërë më e vështirë. Kemi rritje enorme të çmimeve të produkteve esenciale, të cilat kanë ndikuar edhe në rritjen e kostos së përgjithshme të produkteve e mos të flasim për zhvillim ekonomik, të cilin vetëm qeveria e sheh dhe e proklamon vazhdimisht kurse realiteti është që pas pavarësisë kurrë nuk ka qenë gjendja më e keqe sa i përket aspektit ekonomik. Në aspektin politik, qeveria disi e ndikuar nga fuqia e numrave që ka në Kuvend është treguar arrogante ndaj opozitës duke injoruar çdo nismë apo iniciativë që ka qenë në shërbim të qytetarëve, sikurse Ligji i pagave, tërheqja e 30 përqindëshit të Trustit, etj.Pra, pavarësisht që qeveria Kurti ka shumicën në Kuvend nuk ka treguar ndonjë performancë të kënaqshme, edhe ashtu shumica e vendimeve që kanë qenë interes i përbashkët qytetar janë mbështetur nga AAK-ja dhe partitë e tjera në Kuvend. Është fakt se  kryeministri Kurti ka ndryshuar shumicën e qëndrimeve të tij sa ishte opozitar. Si në dialog me Serbinë, por edhe në çështjet e brendshme.  Aspekti i sigurisë është stabil, pavarësisht zhvillimeve të fundit në veri. Kosova ka institucione kredibile të sigurisë dhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, të cilat garantojnë stabilitet dhe ruajnë kufijtë e vendit. Sa i përket deklaratave të kryeministrit për rrezikun për luftë, unë i konsideroj të pamatura dhe absurde.

“Epoka e re”: Po punën e qeverisë Kurti?
Lekaj: Qeveria Kurti e mori mbështetjen masive duke proklamuar shpresë për të rinjtë, vende të reja pune e jetë më të mirë. Që nga marrja e detyrës së kësaj qeverie, po shohim që gjendja ka ndryshuar për të keq në çdo fushë në vend.  Kemi bllokim të buxheteve komunale nga paaftësia apo inati i pushtetit qendror. Kemi rritje të inflacionit prej 14 për qind, e ku pavarësisht kërkesës sonë për largim të TVSh-së në produktet bazike, qeveria ka heshtur. Shohim se gjendja me energji elektrike kurrë nuk ka qenë më e keqe pas pavarësisë se sa tani. Kemi reduktime e shtrenjtim të energjisë për qytetarët që paguajnë energjinë por jo edhe për ata në pjesën veriore, ku vetëm para pak ditësh qeveria i ka ndarë 40 milionë për atë pjesë. Nuk kemi rritje të pagave, nuk ka rritje të mirëqenies, ka vetëm rritje të kërkesës për largim nga vendi, e cila sipas shifrave zyrtare po arrin shifra rekorde. Është fakt që kjo qeveri përpos zhgënjimit, qytetarëve nuk i ka ofruar rezultatet për të cilat kanë shpresuar.

“Epoka e re”: Kryeministri Kurti më 18 gusht do të takohet me Vuçiqin në Bruksel. Çfarë prisni nga ky takim, kur javëve të fundit kemi pasur tensionim të situatës në veri të Kosovës?
Lekaj: E kemi potencuar shumë herë që Kurti me qasjen e tij ndaj dialogut po rrezikon që ta kthejë dialogun tërësisht në dialog për çështje teknike. Konsideroj që vendimi për reciprocitet është i drejtë dhe legjitim, kësisoj qeveria as që duhet ta diskutojë këtë çështje në dialog por vetëm ta zbatojë atë vendim në afatin e paraparë. Kurti duhet të insistojë në një dialog ku diskutohet për marrëveshjen finale me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e ShBA-së.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni deklaratën e Kurtit për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në veri?
Lekaj: Siç e theksova edhe më herët deklaratat për mediat e huaja për rrezikun që i kanoset Kosovës për sulm nga Serbia është tërësisht absurde dhe e pakuptimtë.  Qeveria nuk duhet të ndalet në veprimet e saj për shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri. Sigurisht se krahasuar me vitet e kaluara, gjendja në atë pjesë është dukshëm më e mirë falë edhe qeverive të kaluara. Ndërkohë, veprimet në vazhdim duhet të jenë të matura dhe të analizuara mirë edhe me partnerët tanë.

“Epoka e re”: Çfarë zhvillimesh e presin Kosovën me të filluar sesioni vjeshtor i punës së Kuvendit?
Lekaj: Sigurisht se ka shumë tema të cilat presin për t’u trajtuar qysh në fillim të sesionit vjeshtor të Kuvendit. Si grup parlamentar i AAK-së, do të kërkojmë sjelljen sa më parë Ligjit të pagave. Me prioritet do ta trajtojmë çështjen e energjisë elektrike dhe masave për arritjen e një stabiliteti në këtë temë. Sigurisht, çështjet me interes të veçantë do të jenë çështjet që lidhen me mirëqenien ekonomike, dialogun dhe sigurinë.

“Epoka e re”: Vazhdimisht, opozita ia ka tërhequr vërejtjen pushtetit për krizën energjetike që mund ta përfshijë Kosovën. Sipas jush a do të mund ta menaxhojë qeveris si duhet këtë krizë?
Lekaj: Ne me kohë patëm paralajmëruar qeverinë për krizën që na pret me energji elektrike. Gabim fatal i kësaj qeverie ishte anulimi i ndërtimit të termocentralit Kosova C, me çka do të siguronim stabilitet energjik. Po shihet që qeveria është e paaftë për të ofruar një zgjidhje që sjell stabilitet energjetik dhe qytetarëve u mundëson rrymë pa reduktime dhe pa rritje të çmimit të faturave. Mos të harrojmë pagesën prej 40 milionë euro për veri përderisa qytetarëve të pjesës tjetër të Republikës së Kosovës i rriten çmimi i faturave të energjisë.

 “Epoka e re”: AAK-ja ka kohë që është duke kërkuar miratimin e Ligjit për pagat, madje e ka akuzuar qeverinë për mosseriozitet në këtë temë. Sipas jush pse është duke ndodhur zvarritja e miratimit të këtij ligji?
Lekaj: Ligji i pagave është sjellë fillimisht nga qeveria Haradinaj, por më pas për shkak të ndërhyrjeve në komisionet parlamentare Gjykata Kushtetuese pati hedhur poshtë disa nene të saj. Grupi parlamentar i AAK-së që nga fillimi i kësaj legjislature ka kërkuar nga Qeveria që ta sjellë këtë ligj për miratim. Dihet që gjendja financiare për punëtorët e sektorit publik nuk është e mirë. Është e pakuptimtë që ky ligj ende nuk është sjellë nga qeveria. Realisht ka dështuar në këtë temë. Po dëshmohet që nuk janë për vendimmarrje të guximshme të cilat janë në të mirë të qytetarëve por vetëm për prodhim krizash dhe marrje të vendime ad -hoc të cilat po dëshmohet që kanë prodhuar rezultate.  Këta nuk dinë të qeverisin, kjo dëshmohet edhe nga rezultatet e arritura. Edhe sipas statistikave, qeveria Kurti është më e dobëta që nga periudha pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ylli i Chelsea, lojtari brazilian, Willian ka bërë të ditur…