Qeveria: Lista Serbe nuk është larguar përfundimisht

23 prill 2018 | 17:57

Pavarësisht që Lista Serbe ka deklaruar se ka braktisur koalicionin qeverisës, largimi i përfaqësuesve të këtij subjekti politik nga Qeveria e Kosovës nuk është final, kanë deklaruar zyrtarët e kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se kryeministri Haradinaj, në vazhdimësi është duke kontaktuar me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe i ka ftuar ata që të kthehen në Qeveri.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke vazhduar diskutimin apo komunikimin me përfaqësuesit e Listës Serbe në Qeveri. Deri më tash nuk ka ende asgjë zyrtare sa i përket largimit përfundimtar të tyre. Kryeministri Haradinaj u ka bërë thirrje që ata të kthehen në detyrat që i kanë si ministra dhe në postet tjera qeverisëse. Në ndërkohë, puna në këto ministri po vazhdon me bartësit e tjerë. Do të thotë, nuk ka asgjë definitive dhe finale për sa i përket largimit të Listës Serbe dhe në anën tjetër, kryeministri dhe Qeveria po vazhdojnë të kenë konsulta dhe komunikime me ta, për rikthim në detyra”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë dashur që të komentojnë nëse janë duke biseduar me Qeverinë e Kosovës për rikthim në detyra, e as për faktin që ministra të caktuar nga radhët e Listës Serbe, megjithatë janë parë të kenë vazhduar punën e tyre edhe pas deklaratës zyrtare të këtij subjekti se e kanë braktisur koalicionin qeverisës.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ditë më parë i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se deputetët e Listës vazhdojnë të punojnë nga tabori opozitar, kurse ministrat janë “vetëm në kapacitetet teknike”.

Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke folur për “Radion Evropa e Lirë” ka vlerësuar se Lista Serbe është duke bërë sjellje joparimore politike.

Siç ka thënë ai, deputetët e këtij subjekti politik në Kuvendin e Kosovës, tashmë janë ulur në ulëset e opozitës, ndërkohë që ministrat nga ky subjekt politik, sipas tij, nuk kanë dhënë dorëheqje nga Qeveria dhe vazhdojnë të jenë pjesë e saj.

“Përkundër deklarimeve të Listës Serbe se janë tërhequr nga koalicioni, kjo në praktikë nuk po shihet se është e vërtetë, me vetë faktin se ekzekutivi po funksionon me ministrat e Listës Serbe. Në anën tjetër, deputetët e Listës Serbe në Kuvend ende nuk është se i janë kundërvënë për diçka koalicionit qeverisës ose t’i jenë bashkuar opozitës në nisma. Faktikisht, kjo nuk paraqet ndonjë garanci. Deputetët e Listës Serbe asnjëherë nuk kanë qenë garancë se do të përkrahin çështjet e ngritura prej koalicionit qeverisës, sepse, ata, fundja, pavarësisht se a janë në pushtet apo opozitë, të gjitha çështjet, të cilat do të binin ndesh me politikat e Serbisë, do t’i kundërshtonin”, ka thënë Murati.

Ai ka shtuar se Lista Serbe edhe më herët ka bojkotuar punën në ekzekutiv dhe Kuvend në mënyrë që ta shfrytëzojë politikisht situatën. Një gjë e tillë, sipas Muratit, po ndodhë sërish.

“Zakonisht, këto veprime po i ndërmerr, ndoshta edhe për ta rritur pazarin politik për kërkesat e tyre, të cilat shumë shpesh bien ndesh edhe me interesat shtetërore të Republikës së Kosovës, pasi që e dimë që Lista Serbe, në masë të madhe, e ndjekë politikën drejtpërdrejt prej Beogradit ose politikën e cila vjen drejtpërdrejt apo orkestrohet nga presidenti i Serbisë (Aleksandar Vuçiq)”, ka deklaruar Murati.

Sidoqoftë, Lista Serbe ka tre ministra, njëri prej tyre edhe në postin e zëvendëskryeministrit, si dhe disa poste të zëvendësministrave. Në Kuvendin e Kosovës ajo ka 10 deputetë.

Vendimi i Listës Serbe për ta braktisur Qeverinë e Kosovës, siç kanë thënë përfaqësuesit e këtij subjekti politik, ka qenë rezultat i ngjarjeve të 26 marsit në Mitrovicë të veriut, me ç’rast, njësitë e Policisë së Kosovës kanë arrestuar shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi paguhet 25,000 euro për çdo minutë të luajtur…