Qeveria miraton programin kombëtar për zbatimin e MSA-së

19 mars 2019 | 14:54

Kabineti qeveritar ka miratuar sot Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2019 – 2023.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, duke e prezantuar Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së 2019 – 2023 ka thënë se ky është dokumenti  kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e agjendës evropiane.

“Këto reforma mbulojnë fushat e kritereve politike, atyre ekonomike dhe të acquis-së, në kuadër të kapitujve në tri blloqe, me masa afatshkurtra legjislative dhe zbatuese, dhe objektiva prioritare afatmesme. Ato fokusohen në përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së dhe zbatimin e tij, përmes reformave të politikave e atyre institucionale”, ka deklaruar Hoxha, duke shtuar se programi përmban rreth 390 masa, prej tyre rreth 160 janë masa legjislative dhe rreth 230 janë masa zbatuese.

Ajo ka thënë se kostoja totale e zbatimit të këtij programi për këtë vit është vlerësuar të jetë rreth 94.4 milionë euro, nga të cilat 81.8 milionë euro nga buxheti shtetëror dhe rreth 12.6 milionë euro nga mbështetja e donatorëve (BE dhe donatorët bilateralë).

Programi është hartuar nën koordinimin e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe me përfshirjen e të gjitha institucioneve relevante, sipas të njëjtit proces dhe metodologjie të përdorur në rishikimin e tij paraprak.

Pas miratimit nga Kuvendi, programi do t’i dërgohet Komisionit Evropian për komente zyrtare.

Gjatë këtij viti pritet që Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së të realizohet të paktën 70 për qind.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj është shprehur i lumtur me vendimin e…