Qeveria Rama paralajmëron bizneset që shkarkojnë ujërat e zeza në det: Vendosni impiante ose ju hiqet licenca

07 janar 2024 | 15:23

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar së fundmi një akt normativ për menaxhimin e ujërave të zeza nga subjektet turistike. Sipas dokumentit, ligji i ri detyron të gjithë ata të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike në zonat bregdetare të instalojnë impiante për trajtimin e ujërave brenda 3 muajve të ardhshme.

“Subjektet që zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas nenit 2, të këtij akti normativ, në  zonat  bregdetare ose në  bregun  e liqeneve e të lumenjve kanë detyrimin që, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij   akti normativ, të vendosin impiantin ose sisteme individuale, me qëllim trajtimin e ujërave të ndotura,  sipas  rregullores teknike”, është thënë në Aktin normativ e miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë.

Bizneset që i kanë shkarkuar ujërat e ndotura në gropa septike, detyrohen të marrin masat për zëvendësimin e tyre me impiant ose  sisteme individuale, përcaktohet në ligj.

Qeveria Rama ka theksuar se çdo subjekti që nuk do të respektojë këtë ligj do t’i hiqet licenca dhe do të penalizohet me gjobë. Për subjektet që janë ende në fazë ndërtimi, do t’i refuzohet leja.

Për të mbikëqyrë batimin e këtij detyrimi do të ngrihet një task forcë e posaçme. Kjo njësi do të verifikojë në terren çdo objekt apo kompleks objektesh në zonat bregdetare nëse kanë të instaluar impiantin apo sistemin e trajtimit të ujërave të ndotura.

Ata të cilët kapen në shkelje do të gjobiten me një gjobë që varion nga 15 mijë euro për objektet e vogla deri në 25 mijë euro për komplekset dhe fshatrat turistikë.

Pas marrjes së gjobës, subjektet në shkelje kanë 60 ditë kohë për të përmbushur detyrimin e impiantit. Gjobat e vendosura nga task forca do të konsiderohen si titull ekzekutiv dhe ekzekutohen menjëherë përmes shërbimit përmbarimor.

Për zhvilluesit apo ndërtuesit e fshatrave turistikë, të cilët nuk instalojnë impiantin për trajtimin e ujërave të ndotura parashikohet përjashtim nga e drejta për të marrë leje zhvillimi ose ndërtimi për 5 (pesë) vjet. /Gazeta Si

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milani ka shënuar fitore ndaj Empolit, me rezultat 3-0, në…