Qeveria të reflektojë karshi kërkesave të mësimdhënësve

11 maj 2022 | 21:06

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se gjendja e mësimdhënësve në Kosovë nuk është e mirë.

Jasharaj në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epokën e re” ka thënë se zëri i mësimdhënësve nuk është duke u dëgjuar nga qeveria Kurti.

“Meritojnë që të dëgjohet e të përfillet zëri i tyre, qoftë në angazhimet për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë, qoftë kur përgatiten tekstet shkollore. Duhet dëgjuar zëri i tyre edhe kur kemi të bëjmë me kërkesat legjitime e të arsyeshme. Ky zë nuk po dëgjohet”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka kërkuar që sa më shpejt të rriten pagat për mësimdhënësit. Sipas tij, në sektorin e arsimit nga viti 2018 nuk ka pasur rritje të pagave.

Për shkak të kësaj, Jasharaj ka bërë me dije se të enjten do të mbajnë grevë njëorëshe.

“Greva do të mbahet dhe nuk do të jetë veprimi i fundit sindikal nëse qeveria nuk ndërron qasje ndaj dialogut dhe komunikimit me sindikatat. Kërkesat tona, por edhe të sindikatave të tjera që janë pjesë e BSPK-së, janë që të vazhdohet mbështetja prej 100 eurosh në paga derisa nuk fillon implementimi i Ligjit të pagave. Po ashtu, kërkesë e përbashkët e sindikatave është që të kemi informacione për Ligjin e pagave dhe që të jemi pjesë aktive dhe e barabartë në hartimin draftit final e jo shikues nga anash”, ka thënë ai, duke shtuar se ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, nuk e ka mbajtur premtimin për Ligjin e Pagave.

“I vetmi komunikim për Ligjin e Pagave ka ndodhur në nëntorin e vitit të kaluar në takimin me ministrin Sfeçla, që kishte kërkuar mirëkuptim nga ne duke na deklaruar se deri në mars do të kryhet drafti i parë i ligjit e pastaj do të nisin takimet me sindikatat për të arritur marrëveshje lidhur me të gjithë çështjet që lidhen me këtë ligj, por kjo nuk ka ndodhur dhe as SBAShK-u e as sindikatat e tjera nuk kanë as edhe një informatë zyrtare lidhur me përmbajtjen dhe me fatin e këtij ligji tepër të rëndësishëm”, është shprehur Jasharaj.

Ai ka bërë me dije se veprimi tjetër pas grevës do të jetë protesta e 20 majit.

Jasharaj ka thënë se nëse deri atëherë nuk do të reflektojë qeveria do të vendosin për veprime të tjera sindikale.

“Veprimi i parë i radhës është protesta e 20 majit me pjesëmarrjen e anëtarësisë së SBAShK-ut dhe sindikatave të tjera anëtare të BSPK-së e pastaj do ta analizojmë situatën duke uruar që qeveria të reflektojë. Dhe nëse jo, atëherë u mbetet organeve të sindikatave të vendosin bazuar në zërin e anëtarësisë dhe ashtu edhe do të ndodhë”, ka deklaruar Jasharaj.

“Epoka e re”: Z. Jasharaj, si është gjendja e mësimdhënësve sot në Kosovë?
Jasharaj: Gjendja e mësimdhënësve në Kosovë nuk është ajo e duhura. Mësimdhënësi ka mbetur vetëm në angazhimet në procesin edukativo-arsimor dhe më keq se kjo është krijuar një prirje e individëve që të lëndohet figura e mësuesit me vlerësime të paargumentuara. Mësimdhënësit e Kosovës vazhdojnë angazhimet për arritje më të larta të nxënësve, por u mbeten mjete kryesore të punës, shpuza, shkumësi, tabela dhe tekstet shkollore që nuk korrespondojnë me kurrikulën. Edhe në aspektin ekonomik mësimdhënësit nuk qëndrojnë mirë sepse nga janari i vitit 2018 nuk ka pasur lëvizje pagash dhe të kujtojmë se në atë kohë ngritja ka qenë vetëm 4 për qind, kurse çmimet kanë shënuar ngritje të vazhdueshme, sidomos tek artikujt elementarë.

“Epoka e re”: Çfarë bashkëpunimi keni me institucionet e Kosovës?
Jasharaj: SBAShK-u ka bashkëpunim të vazhdueshëm me MAShTI-n dhe në këto takime bashkëbisedojmë për gjendjen në arsim dhe për angazhimet e përbashkëta në shërbim të ngritjes së cilësisë. Mirëpo MAShTI nuk ka kompetenca e as mundësi buxhetore që t’i realizojë kërkesat e punëtorëve të arsimit dhe ne vazhdimisht kemi kërkuar që ministrja Nagaci t’i ngrehë këto çështje e kërkesa në qeveri, por nuk kemi as edhe një informacion nëse kështu ka ndodhur. Nga ana tjetër, me institucionet e tjera, duke filluar nga kryeministri, por edhe nga ministrat gjegjës, bashkëpunimi mungon. Ne kemi dërguar vazhdimisht shkresa për takime e bashkëbisedë për të gjitha çështjet, por ka munguar e vazhdon të mungojë gatishmëria e institucioneve për angazhime konkrete, për bashkëpunim në përpjekje për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për kërkesat legjitime të anëtarësisë sonë. Kjo qasje e qeverisë Kurti ndaj sindikatave është e gabueshme dhe ka sjellë deri te situatat e tilla çfarë janë tani me greva e protesta.

“Epoka e re”: Vlerësoni se institucionet nuk janë duke i trajtuar mësimdhënësit në mënyrë të dinjitetshme?
Jasharaj: Partitë politike në fushata deklarohen zëshëm se arsimin do ta kenë prioritet, por kjo nuk ka ndodhur e nuk po ndodh as në qeverinë Kurti. Punëtorët e arsimit edhe për arsye të respektit që duhet pasur për misionin e tyre të shenjtë në edukimin e arsimimin e brezave në vitet e okupimit, por edhe për arsye të këtij misioni që u realizua në kushte tepër të vështirësuara nga pandemia, meritojnë trajtim të dinjitetshëm. Meritojnë që të dëgjohet e të përfillet zëri i tyre qoftë në angazhimet për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë, qoftë kur përgatiten tekstet shkollore. Duhet dëgjuar zëri i tyre edhe kur kemi të bëjmë me kërkesat legjitime e të arsyeshme. Ky zë nuk po dëgjohet.

“Epoka e re”: A kanë komunikuar me ju institucionet e shtetit për draftligjin e pagave, për të cilin keni marrë premtime se do të shkojë në Kuvend në muajin mars?
Jasharaj: Jo, nuk kemi komunikuar dhe për këtë fajtor janë qeveria dhe institucionet e tjera. I vetmi komunikim për Ligjin e Pagave ka ndodhur në nëntorin e vitit të kaluar në takimin me ministrin Sveçla, që kishte kërkuar mirëkuptim nga ne duke na deklaruar se deri në mars do të kryhet drafti i parë i ligjit, pastaj do të nisin takimet me sindikatat për të arritur marrëveshje lidhur me të gjitha çështjet që lidhen me këtë ligj, por kjo nuk ka ndodhur dhe as SBAShK-u e as sindikatat e tjera nuk kanë as edhe një informatë zyrtare lidhur me përmbajtjen dhe me fatin e këtij ligji tepër të rëndësishëm.

“Epoka e re”: Z. Jasharaj, pse keni vendosur të hyni në grevë njëorëshe dhe cilat janë kërkesat e SBAShK-ut për institucionet e Kosovës?
Jasharaj: Po, greva do të mbahet dhe nuk do të jetë veprimi i fundit sindikal nëse qeveria nuk ndërron qasjen ndaj dialogut dhe komunikimit me sindikatat. Kërkesat tona, por edhe të sindikatave të tjera që janë pjesë e BSPK-së, janë që të vazhdohet mbështetja prej 100 eurosh në pagë derisa nuk fillon implementimi i Ligjit të Pagave. Po ashtu, kërkesë e përbashkët e sindikatave është që të kemi informacione për Ligjin e Pagave dhe të jemi pjesë aktive dhe e barabartë për hartimin draftit final e jo shikues nga anash.

“Epoka e re”: Nëse nuk merren parasysh këto kërkesa, çfarë do të bëni si sindikatë, cilat do të jenë veprimet e radhës?
Jasharaj: Veprimi i parë i radhës është protesta e 20 majit me pjesëmarrjen e anëtarësisë së SBAShK-ut dhe sindikatave të tjera anëtare të BSPK-së, pastaj do ta analizojmë situatën duke uruar që qeveria të reflektojë. Nëse jo, u mbetet organeve të sindikatave të vendosin bazuar në zërin e anëtarësisë dhe ashtu edhe do të ndodhë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi kosovar “Bad News Eagles” e ka humbur mapin e…