QKUK jep detaje rreth rastit të Avni Hysenit dhe kërkon përgjegjësi nga mediat

19 janar 2019 | 09:26

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, respektivisht kolegjiumi i Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, ka dhënë detaje të hollësishme rreth trajtimit të pacientit Avni Hyseni nga Peja i cili ndërroi jetë para 20 ditësh si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore.

Në komunikatën e dërguar për media shkruan se si pacienti Avni Hyseni me datën 12.12.2018 është dërguar në Spitalin e Pejës, pa vetëdije dhe me ndërprerje të punës së zemrës.

“Pas disa orëve, pasi që patologjia ka qenë shumë e rëndë, ai transferohet në Qendrën Emergjente të QKUK-së  ku pas ekzaminimeve mjekësore, verifikohet gjakderdhje masive në tru. I njëjti transferohet në MIQ, për mjekim intensiv dhe mbështetje respiratori, aty ku gravitojnë pacientët me patologji më të rënda nga të gjitha institucionet shëndetësore të Kosovës”.

“Familjarët janë informuar për gjendjen shëndetësore të pacientit dhe prognozën e tij. Me vetiniciativë dhe insistim, familjarët vendosin që pacientin ta transferojnë në Spitalin Amerikan në Tiranë për trajtim të mëtutjeshëm, me përcjellje të ekipit mjekësor”.

Sipas QKUK-së edhe në Spitalin Amerikan pacientit i janë bërë disa ekzaminime përmes së cilave është konfirmuar gjakderdhja masive në tru e shkallës më të rëndë me vdekshmëri 100% dhe rrjedhimisht është konsideruar si rast i patrajtueshëm në aspektin kirurgjik.

“Me datën 13.12.2018 sërish me vetiniciativë, familjarët vendosin që pacientin ta transferojnë në Spitalin e Pejës, duke marrë përsipër edhe rreziqet e transportit”.

“Në Spitalin e Pejës respektivisht në Mjekimin  Intensiv, pacienti  qëndron për 6 në gjendje Kome të pandryshuar. Me datën 19.12.2018 me vetiniciativë të familjarëve, pacienti sërish transferohet në MIQ në QKUK. Gjatë qëndrimit në Mjekim Intensiv Qendror, me datë 31.12.2018 në orët e mbrëmjes përkeqësohet gjendja e pacientit për të cilën gjë informohen familjarët. Rreth orës 21:00 ndalet puna e zemrës dhe  përkundër masave të reanimimit, në ora 21:20 konstatohet vdekja  e tij. Sipas procedurave standarde mjekësore, pas konstatimit të vdekjes, pacienti ç’kyçet nga aparaturat mjekësore. Menjëherë informohen familjarët dhe pas shpjegimit që masat reanimuese kanë qenë të pasuksesshme, ju shprehen ngushëllime të sinqerta për vdekjen e pacientit”.

“Në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv trajtohen pacientët më të rëndë të ardhur nga të gjitha institucionet shëndetësore dhe rrugët e Kosovës dhe  çdo sekondë stafi mjekësor me përkushtimin më të madh, lufton për jetën e tyre. Ne jemi të gatshëm që me kompetencë t ju përgjigjemi të gjitha pyetjeve dhe shqetësimeve të organeve kompetente dhe mediave elektronike apo të shkruara”.

QKUK kërkon nga të gjitha mediat që për çështjet të tilla të ndjeshme, së pari të komunikojnë me institucionet përgjegjëse shëndetësore, e pastaj të informojnë publikun, duke mundësuar kështu plasimin e vërtetë dhe të pagabuar të gjendjes faktike në opinionin publik, duke respektuar punën ekstrem të madhe të stafit mjekësor dhe duke kultivuar gazetarinë e mirëfilltë hulumtuese dhe informuese.

Për t’u informuar më shumë rreth rastit të të ndjerit Avni Hyseni, ndiqni kronikën e përgatitur nga Klan Kosova.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lulzim Rafuna, këshilltar për tatime dhe doganë i kryeministrit të…