Quinti, Qeverisë së Kosovës: Zbatojeni vendimin e Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit
Ambasadorët e Quintit (Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës) kanë lëshuar sot një deklaratë të përbashkët lidhur çështjen e pronës së Manastirit të Deçanit, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.
“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar. Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, është thënë në reagimin e Quintit.
Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë theksuar se janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës.
“Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, është thënë në deklaratën e përbashkët të tyre.



