‘Qytetarët që e kanë votuar LV-ë e bajshin me shëndet korrupsionin’

02 qershor 2022 | 11:51

Janë pikërisht dy ministri të qeverisë Kurti, të cilat së fundi janë përfolur për keqpërdorime të mundshme.

Gjatë ditës së djeshme Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paraqitur dokumentet përmes të cilave është thënë se në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës janë keqpërdorur mbi 1 milion euro.

E pak orë më vonë, në mediumin “Nacional” është publikuar edhe një hulumtim tjetër që kishte të bënte me përgjimet në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, e ku bëhej fjalë për keqpërdorimin e 30 mijë eurove.

Brenda një dite, dy ministri të drejtuara nga qeveria Kurti janë përfolur pikërisht për çështje që deri para pak kohëve, Vetëvendosje vazhdimisht i kishte kundërshtuar.

Vetëvendosje e cila njihej si një prej partive më të zëshme në vend që kundërshtonte vazhdimisht mundësinë e keqpërdorimeve të parasë publike, punësimeve familjare e miqësore, e që thirrej në respektim të vazhdueshëm të ligjit siç duket brenda përbrenda ka edhe njerëz të infiltruar pikërisht në këto pi ka.

Lidhur me këtë, “lajmi.net” ka kontaktuar ish-kryeministrin Isa Mustafa, i cili ka theksuar se bindja e qytetarëve është çështje shumë relative.

Ai ka thënë se qytetarët zakonisht nuk veprojnë mbi bazën e fakteve ose rezultateve, por sipas percepsionit.

Sipas ish-kreut të LDK-së, Isa Mustafa, përcepsionin e krijojnë mediat, shoqëria civile, opozita dhe Kuvendi.

“Bindja e qytetarëve është çështje shumë relative. Qytetarët zakonisht nuk veprojnë mbi bazën e fakteve ose rezultateve, por sipas percepcionit. Percepcionin e krijojnë mediat, shoqëria civile, opozita, Kuvendi dhe ata që piskasin nëpër studio çdo natë – Vetëvendosje 80 për qind, Vetëvendosje 90 për qind”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se duhet shtuar pyetja se si Vetëvendosje mund të jetë e pastër?

“Si mund të jetë e pastë? Një konglomerat i të majtëve e të djathtëve, i sekteve të ndryshme ekstreme sociale, politike e religjioze, i grupeve militante, njerëzve të PDK-së, AAK-së dhe mbeturinave të LDK-së”, ka thënë ai.

Sipas Mustafës është interesante të shihen reagimet e Vetëvendosjes për shumë raste me elemente korruptive, që po dalin në opinion.

“Nuk japin përgjigje, por deklarohen me fuqi absolute se LV-ja s’ka korrupsion. Nuk tregojnë gatishmëri që të marrin përgjegjësi. Kjo është më e rrezikshme sesa vet aferat që po përmenden”, ka thënë Mustafa.

Më tutje, Mustafa ka deklaruar se përgjimet duhet të trajtohen nga qeveria dhe prokuroria, si rasti “Pronto”.

“Rasti për ndarje të mbi një milion eurove një OJQ-je, siç thuhet pa procedurë konkurruese , siç e parasheh ligji, po ashtu është lëndë për drejtësi. Ka pas rast që një kryetar komune për rast të ngjashëm, por shumë më të vogël, për një investim me qëllimet më të mira është sorollatë gjyqeve gati një decenie”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se është e frikshme për shtetin ligjor deklarata se përgjimi është marrë nga organet e drejtësisë, sepse ata nuk kanë besuar se organet e ndjekjes do të trajtojnë këtë rast.

“Qytetarët që e kanë votuar me një shumicë të paparaparë LV-në dhe GUXO-n, e bajshin me shëndet edhe korrupsionin e tyre! Edhe ndërkombëtarët”, ka përfunduar Mustafa.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
PSG-ja arriti të bindte Mbappen për të qëndruar në Paris,…