Rafuna: Shqetësuese ikja e të rinjve nga vendi

08 janar 2023 | 10:53

Shqetësuese për Odën Ekonomike të Kosovës mbetet numri i madh i të rinjve që po e braktisin vendin dhe mungesa e fuqisë punëtore për bizneset.

Përveç kësaj, drejtues të kësaj ode vlerësojnë se sektori privat në vitin që po lëmë pas u sfidua me ngecjen e realizimit të investimeve kapitale nga qeveria.

Kryetari i OEK-ut, Lulëzim Rafuna ka kritikuar ekzekutivin e vendit se vetëm sektori privat nuk mori mbështetje nga Pako për përballje me inflacionin. Teksa thotë se mbështetje morën gati të gjitha kategoritë e shoqërisë në vend, por jo edhe punëtorët e sektorit privat.

Ndonëse, Rafuna shpreson se viti 2023, do të jetë një vit më i mirë se sa ky vit që po lëmë pas për bizneset dhe ekonominë e saj.

Rafuna në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se nuk është vetëm çështja e pagave të ulëta, e cila po ndikon në ikjen e të rinjve nga vendi.

Përkundër që Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka dal ende me raport për numrin e qytetarëve që kanë lëshuar vendin gjatë vitit 2022, Rafuna thotë se numri është tejet i lartë dhe përmendi se arsye e migrimit janë mungesa e sigurisë në shëndetësi dhe arsimi joadekuat, krahas kërkesave të tregut të punës. Gjatë vitit 2021, numri i qytetarëve që patën braktisur vendin, ka qenë rreth 43 mijë.

“Ikja e të rinjve është shqetësuese për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar të pakualifikuar. Ka punëtorë të kualifikuar dhe të pakualifikuar që po ikin prej vendit tonë për një jetë më të mirë. Sfida tjetër është se, edhe pse po importohet fuqia punëtore, prej Bangladeshit, Nepalit dhe vendeve të tjera, nuk e kanë për qëllim që ata punëtorë me qëndruar në Kosovë. Ata dëshirojnë ta shfrytëzojnë Kosovën vetëm për transit, dhe kjo për kompanitë paraqet probleme. Për këtë institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë, duke hartuar strategjinë se si ta ndalin lëvizjen e të rinjve për të migruar”, ka theksuar Rafuna.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini u shpreh se…