Raketat dhe terrorizmi i Iranit nuk ndalen në Izrael, edhe ju jeni shënjestër
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka lëshuar një paralajmërim të fortë drejtuar vendeve evropiane lidhur me rrezikun që vjen nga Irani, duke bërë të qartë se kontinenti i vjetër nuk është i immunizuar nga kërcënimet e Teheranit. Këto deklarata u bënë të martën gjatë një takimi zyrtar në Jerusalem me homologun e tij çek, Andrej Babiš.
Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë izraelite theksoi se kapacitetet ushtarake, rrjetet terroriste dhe programi bërthamor i Iranit përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë jo vetëm për shtetin hebre, por për të gjithë sigurinë evropiane.
“Raketat e Iranit nuk ndalen në kufijtë e Izraelit, as terrorizmi i tij, as ambiciet e tij bërthamore. Evropa nuk është spektatore. Evropa është një shënjestër”, deklaroi prerë Netanyahu.
Në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit nuk i kurseu kritikat e ashpra ndaj disa liderëve evropianë të cilët, sipas tij, kanë zgjedhur të distancohen nga politikat e Izraelit. Duke lavdëruar qëndrimin e kryeministrit çek Babiš, Netanyahu vuri në pah dallimin mes aleatëve të vendosur dhe atyre që i quajti udhëheqës të dobët.
“Ka udhëheqës të dobët që i kthejnë shpinën Izraelit, ndërsa ju qëndroni me kokë lart. Ju nuk ndiqni turmën, nuk tërhiqeni përballë terrorizmit, por ndiqni ndërgjegjen tuaj”, shtoi ai.
Vizita e Andrej Babiš në Jerusalem nisi me një takim kokë më kokë me Netanyahun, ku u diskutuan çështje kyçe dypalëshe dhe sfidat e sigurisë në rajon.
Pas bisedimeve private, takimi vijoi në format të zgjeruar me delegacionet qeveritare të të dyja vendeve. Në tryezë morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme, të Mbrojtjes, të Shëndetit Publik dhe të Sporteve nga Izraeli dhe Republika Çeke, të shoqëruar nga kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sekretari ushtarak i kryeministrit izraelit dhe ambasadorët respektivë.



