Raketat ruse godasin dy ura të mëdha në Kiev
Dy ura të mëdha në kryeqytetin ukrainas janë goditur nga një sulm me raketa balistike ruse gjatë natës, bëri të ditur kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, raporton BBC.
Sipas Klitschkos, raketat goditën urën veriore dhe atë jugore të Kievit që përshkojnë lumin Dnipro, duke shkaktuar dëme në sistemet kritike të infrastrukturës dhe ndërprerje të furnizimit me ujë, energji elektrike dhe ngrohje në disa zona të qytetit.
Shpërthime të forta u dëgjuan pak para mesnatës së të martës, ndërsa u dëmtuan edhe disa linja të metrosë mbitokësore, teksa civilët u urdhëruan të futeshin në strehimore.
Tetë ura të mëdha kalojnë mbi lumin Dnipro dhe lidhin pjesën perëndimore me atë lindore të Kievit, duke shërbyer si arterie jetike për udhëtimin e rreth tre milionë banorëve të kryeqytetit.
Ndërkohë, zyrtarët lokalë raportuan se tre persona u plagosën nga një tjetër sulm me raketa ruse në rajonin e Cherkasy-t.
Nga ana tjetër, forcat ukrainase kanë goditur Urën historike të Kerçit, e cila lidh Rusinë me gadishullin e aneksuar të Krimesë, për të dytën ditë radhazi, duke vrarë dy persona.
Guvernatori i Krimesë i instaluar nga Moska, Sergei Aksyonov, njoftoi në Telegram se trafiku nëpër urë është pezulluar.
Edhe pse përmasat e sakta të dëmit mbeten ende të paqarta, ky sulm tregon cenueshmërinë e urës së përuruar me bujë nga Vladimir Putin në vitin 2018, pavarësisht mbrojtjes së saj të shumëfishtë ajrore dhe detare.
Paralelisht, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se ka kapur dhe shkatërruar 2,049 dronë ukrainas dhe katër raketa me rreze të gjatë veprimi “Flamingo” brenda 24 orëve, ku rreth 600 prej tyre u drejtuan drejt Moskës, sipas kryebashkiakut Sergey Sobyanin.
Kjo valë e re e sulmeve ajrore vjen vetëm pak orë pasi zyrtarët amerikanë, ukrainas dhe evropianë zhvilluan bisedime online për t’i dhënë fund luftës shumëvjeçare.
Në takim morën pjesë të dërguarit e posaçëm amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Pas bisedimeve, Kushner deklaroi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar t’i ofrojë Ukrainës “garanci të forta dhe të besueshme sigurie”, si dhe një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke shtuar se NATO “do të mbetet një shtyllë kritike e sigurisë evropiane”.
Ndërkohë, në fjalimin e tij të hënën në mbrëmje, presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi takimin si “të vështirë” dhe kërkoi më shumë mbështetje për mbrojtjen ajrore kundër raketave balistike ruse.
Ai vlerësoi gjithashtu faktin se për herë të parë Evropa u përfaqësua me një delegacion të plotë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Italinë, Poloninë, BE-në dhe NATO-n, në tryezën e negociatave.



