Rakiqi: Folëm me Vuçiqin gjithë natën, pasnesër nisim protestën e parë

04 nëntor 2022 | 16:35

Drejtuesit e Listës Serbe kanë mbajtur konferencë bashkë me drejtorin e suspenduar të Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq.

Kryetari i kësaj liste, Goran Rakiq, ka thënë se këtë adresim po e bëjnë pasi kanë folur “gjithë natën” me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Rakiqi ka thënë se suspendimi i drejtorit, i cili nuk deshi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për qortim të qytetarëve serbë me targa ilegale, e ka mbushur kupën.

“Terrori të cilin Prishtina do ta ushtrojë këto javë e muaj, jo që nuk duam, por më nuk mundemi ta durojmë dhe këtë e kemi shprehur qartë edhe në takimin me presidentin Vuçiq”, ka thënë Rakiqi.

Kreu i Listës Serbe ka thënë se do ta shqyrtojnë pozicionin e serbëve në institucione, pas suspendimit të drejtorit.

“Do të takohemi nesër me të gjithë udhëheqësit e institucioneve për të vendosur se si të vazhdojmë tutje. Me të gjithë që udhëheqin institucione, sidomos ata në veri”.

“E ajo çfarë mund të them është se pasnesër në orën 12:00, do të fillojmë me protestën e parë”, ka thënë Rakiqi.

Më tutje, Rakiqi ka thënë se “ajo do të jetë një qëndresë demokratike, politike dhe jo e dhunshme qytetare”.

Në konferencë i pranishëm ishte edhe drejtori i suspenduar, Nenad Gjuriq, i cili ka thënë se do të largohet tërësisht nga Policia e Kosovës.

“Nga sot nuk do të jem pjesë e Policisë së Kosovës, sepse dua ballë të ndritur dhe fytyrë të pasur”, ka thënë Gjuriqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Armando Broja mund të veshë…