Rama liron nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike

02 shkurt 2024 | 15:02

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka liruar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu. Rama në një postim në “Facebook”ka shkruar se që një vit ka kërkuar zgjidhje për situatën alarmante me mbeturina në kryeqytet.

“Sot kam marrë vendim për ta liruar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike. Për më tepër, ju njoftoj se, në cilësinë e kryetarit të kryeqytetit, kam bërë përpjekje duke krijuar një Task Force dhe kam ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë. Prandaj, kam vendosur që të ndërhyjë dhe të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate”, ka njoftuar Rama.

Ai ka theksuar se të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave.

“Si kryetar i kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar”, ka shkruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli ka bërë të ditur…