Rama: Mundësitë në fshat, të pafundme

04 nëntor 11:48

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte në Tropojë në një takim me fermerët.

Nga atje, Rama ka thënë se është e pamundur dhe jo e drejtë që t’i thuhet njerëzve “rrini këtu dhe mos ikni sepse këtu është atdheu”.

Sipas tij, njeriu është në të drejtën e tij që të marrë vendimet për veten pasi tashmë nuk “jemi më në bunkerin e komunizmit”.

Rama ka thënë se në Shqipëri kush do që t’ia krijojë vetes mund ta bëjë këtë. Sipas tij, në fshat mundësitë janë të pafundme sot.

“Më bëri shumë përshtypje një artikull i një gazetareje të famshme britanike që shkruante lidhur me këtë debatin e hapur në Britani pas ndërhyrjes time në atë debat dhe thoshte vetëm vendet diktatoriale, vënë në diskutim lirinë e njerëzve për të ikur apo për të ardhur. Shqiptarët sot, thoshte, po bëjnë atë që bota e ka bërë qysh në lindje të saj. Po bëjnë atë që ne kur kemi qenë më pak të pasur se sot e kemi bërë shumë më tepër se këta në një kohë tjetër. Po bëjnë atë që sot e bëjnë njerëz të këtij vendi, domethënë Britanisë që jetojnë nëpër zona të vështira, se ka edhe atje zona të vështira dhe vijnë në Londër. E solla këtu për të thënë që është e pamundur dhe nuk është e drejtë që i thuhet njerëzve rrini këtu dhe mos ikni sepse këtu është atdheu, etj”.

“Njerëzit janë në të drejtën e tyre të marrin vendimet e tyre sepse shyqyr Zotit nuk jemi më në bunkerin e komunizmit që na detyronte të rrinim brenda dhe s’na lejonte të hapnim as dritaren jo më të hidheshim nga dritarja. Nga ana tjetër sot është fakt që në Shqipëri që nëse do t’i krijosh vetes mundësi, ia krijon. Gjëja më interesante është që sot nëse në qytet, mundësitë janë më të kufizuara, në fshat janë të pafundme. Pse? Për një arsye të thjeshtë. Nëse në Tropojë sot vijnë siç janë regjistruar këtë vit rreth 150 mijë turistë, të cilët kalojnë dhe vazhdojnë në pika të tjera, atëherë kjo do të thotë që ka një treg për këdo që jeton në fshat. Cili është tregu? Tregu është që me shtëpinë e vjetër të gjyshit, të stërgjyshit dhe në tokën rreth e rrotull, ke mundësi që të ndërtosh një pikë që të tërheqësh disa prej tyre. Dhe këta të vijnë jo për t’iu ofruar gjëra që i kanë në vendet e tyre, por për t’iu ofruar ato gjëra që janë tek ajo tavolina atje, bashkë me gjithë mikpritjen dhe komfortin e një shtëpie tropojane, në mes të mrekullive të natyrës. Këtë nuk e gjen dot në një vend tjetër të botës. Mund të gjesh çdo gjë, por këtë nuk e gjen siç nuk gjen një shtëpi gjirokastrite, përmetare, e të tjerë e të tjerë, që do të thotë me një investim jo të madh mund të ngrihet një biznes. Dhe ky është një lloj biznesi që nuk ka nevojë për akses të shpejtë në treg për të nxjerrë produktet bujqësore. Ky është një biznes që produkt ka mikpritjen, ushqimin e mirë, natyrën dhe arkitekturën e një shtëpie tradicionale. Për sa i përket konsumatorit ai vjen tek ti, nuk shkon ti tek ai. Kjo nuk është më shyqyr diçka që e kemi parë jashtë, kjo është diçka që ndodh këtu, ndodh në Shqipëri sot”, ka thënë Rama. /TVKlan

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trendi rritës i të hyrave vazhdon ta dominojë inkasimin edhe…