Rama: Protesta e opozitës, një pikë mbrapa për integrimin

18 dhjetor 2017 | 14:23

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvend, ku është zgjedhur me mandat të përkohshëm kryeprokurorja Arta Marku.

Ai ka thënë se protesta dhe tymi në Kuvend kanë efekt negativ në procesin e integrimit evropian.

“Bëra sa munda dhe sinqerisht nuk e di çfarë mund të bëja më shumë për të hapur dialogun me opozitën, lidhur me zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm. As kërkesat e përsëritura të ShBA-ve dhe BE-së për të gjetur një zgjidhje me mirëkuptim nuk mjaftuan dot për ta sjellë opozitën në tryezën e dialogut për këtë çështje. Zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme me mandat të përkohshëm me vetëm votat tona ishte zgjedhje legjitime dhe kushtetuese, e konfirmuar dhe nga misionet e drejtësisë së ShBA-ve dhe BE-se që asistojnë që prej ditës së parë në procesin e vështirë të reformës në drejtësi, por jo zgjedhja e dëshiruar prej nesh”, është shprehur Rama, duke shtuar se pozita ka dëshiruar zgjedhje me mirëkuptim dhe përmes dialogut me opozitën.

“Ne dëshironim zgjedhje me mirëkuptim përmes dialogut me opozitën. Për ne nuk kishte rëndësi vetëm që të respektohej Kushtetuta e ligji e të përmbushej ky detyrim i procesit të reformës në drejtësi, por ishte me rëndësi që këtë detyrim ta përmbushnim bashkërisht me opozitën. Jemi në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, presim hapjen e negociatave për anëtarësim dhe ashtu sikundër çdo shfaqje uniteti në funksion të Kushtetutës, ligjit dhe reformës në drejtësi është një pikë e fituar, ashtu dhe çdo shfaqje si kjo e sotmja është një pikë e humbur”, ka deklaruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Flamur Sefaj, ka pritur…