Rama: Protestat po dëmtojnë turizmin, ka një frymë fashiste që duhet të ndalet
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur shqetësimin për ndikimin që protestat po japin në sektorin e turizmit, duke paralajmëruar se anulimet e rezervimeve nga turistët e huaj po kthehen në një problem serioz për ekonominë e vendit.
Në podcastin “Flasim”, Rama ka thënë se ka marrë mesazhe të shumta nga operatorë turistikë, të cilët raportojnë anulime rezervimesh për sezonin veror.
Sipas tij, kjo situatë po prek drejtpërdrejt bizneset lokale, ekonominë familjare dhe të ardhurat që vendi përfiton nga turizmi.
Ai ka vënë në dukje po ashtu prurjet nga territore të tjera në protestë, që sipas tij, s’kanë lidhje me Vlorën.
Duke folur për protestën, Rama ka thënë se ajo ka një frymë fashiste.
Sipas kreut të qeverisë, kjo frymë fashiste duhet ndalur, duke mos u tërhequr përballë atyre që bullizojnë dhe kërcënojnë ata që kanë një opinion ndryshe.
“Dhe tjetra: është e patolerueshme që një grup njerëzish, që një forcë njerëzish, që një parti apo një konglomeratë partish, apo që nuk e di, quani si të doni, t’i imponohet pjesës tjetër, duke i thënë që: ‘O do mendosh kështu si unë, o unë do të sakatoj, do të të bullizoj, do të të kërcënoj’. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe kjo duhet ndalur. Dhe kjo ndalet duke mos u tërhequr përpara këtyre lloj presioneve dhe përpara këtyre lloji hajvanëve. Kjo duhet ndalur”, ka thënë Rama.



