Rama, Zelenskyt: Nuk keni vetëm qeverinë, por gjithë popullin shqiptar në krah
“Nuk është vetëm një mbështetje që vjen nga Parlamenti, Qeveria, apo institucionet. Është një mbështetje që vjen nga i gjithë populli shqiptar”.
Kështu e ka përcaktuar kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjetjen në krah të Ukrainës që prej ditës së parë nga Shqipëria, duke e mbrojtur kauzën e saj në gjithë instancat.
Gjatë një konference të përbashkët për medie me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Rama ka thënë se shqiptarët mbajnë të njëjtin qëndrim me Ukrainën në betejën e saj përballë agresionit rus, për integritetin territorial.
Kjo gjë, sipas tij, do të vijojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të ndodhë një paqe që zgjat.
“Shqipëria një anëtare e vogël, por krenare e NATO-s”, ka thënë Rama, duke përcaktuar me vendosmëri se kjo mbështetje do të vijojë deri sa të jetë e nevojshme dhe deri sa të ndodhë një paqe e gjatë.
Por, kjo paqe, në fjalët e Ramës, duhet të jetë e drejtë për popullin ukrainas dhe sovranitetin e saj.
Ai gjithashtu vuri theksin tek palët skeptike brenda vendeve të Bashkimit Evropian, apo aleatëve perëndimorë, të cilët pretendojnë se lufta mund të ndalojë duke i hequr ndihmat Ukrainës.
Jo! Sipas Ramës, mënyra e vetme për ndalimin e luftës nuk është heqja e ndihmave për Ukrainën, por mposhtja e armikut, i cili në këtë rast është Vladimir Putin.
“E kemi dënuar agresionin rus dhe kemi bërë gjithçka kemi mundur për ta ndihmuar Ukrainën me të gjitha mjetet”, ka thënë kryeministri Rama disa herë, teksa ka shtuar se bisedimet në samit kanë qenë të frytshme dhe ka pasur mbështetje të gjerë për kauzën ukrainase. /AP