Ramabaja në gjykatë: Nuk jam njoftuar as për arsyet e arrestimit

03 korrik 2019 | 15:32

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke vazhduar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Sadri Ramabaja duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes, ka thënë se nuk ishte i njoftuar as për arsyet e arrestimit.

“Nuk jam njoftuar për arsyet e arrestimit. Kam mundur të supozoj, por nuk e kam kuptuar pse”, deklaroi ai.

Më tutje, mbrojtja e ka pyetur Ramabajën nëse arrestimi i tij ndërlidhet me plagosjen e Azem Vllasit, ndërsa përgjigja ai është përgjigjur duke thënë: “Jo, vetëm kam supozuar”.

Ramabaja ka treguar edhe se për çfarë është pyetur herën e parë dhe të dytën. “Jam marrë në pyetje më 19 tetor 2017, herën e dytë më 5 janar 2018. Herën e parë jam pyetur ekskluzivisht për telefonin (numrin) e Azem Vllasit, nga e kishte siguruar Murat Jashari. Në herën e dytë ka pas të bëjë me redaktimin e librit të Murat Jasharit, që për mua ka qenë befasi”, ka thënë Ramabaja.

Ai ka theksuar se aktakuza kishte dalë më përpara në medie.

“Aktakuzën njëherë e kanë pranuar mjetet e informimit pastaj unë. Prokurori supozoj se i është dashur një ‘shou’ medial dhe prezumimi i fajësisë për të mbajtur sa më gjatë në burg”, ka thënë Ramabaja.

Ndërsa, prokurori special, Sylë Hoxha e ka kundërshtuar konstatimin e Ramabajës. “Kur e dorëzojmë akuzën në gjykatë kompetente e japim njoftimin për opinion që është ngritur një aktakuzë. Kjo është praktikë e jona. Kur e ka pranuar personi, nuk është çështje e prokurorisë”, ka thënë Hoxha.

I pyetur se kënd nga të akuzuarit e njeh në sallë, Ramabaja ka thënë se nga dhjetë i njeh vetëm tre: “E njoh Behxhet Luzhën, për shkak të lidhjes familjare, gruan e tij Lirijën, dhe Murat Jasharin si ish-shok i vëllait tim”, është shprehur Ramabaja./KosovaPress/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Dukagjinit nga Klina po vazhdon përgatitjet për edicionin…