Ramadani, nga shitës i frutave në zbulimin e Serisë A

21 dhjetor 2023 | 16:44

“Kam bërë një xhiro nëpër Evropë për të mbërritur te Lecce”. Ylber Ramadani duket i dashuruar me klubin e tij të ri, ku zbarkoi disa muaj më parë. Askush nuk flet më për Morten Hjulmand, “playmakerin” e mirë danez të shitur në verë te Sporting në Portugali. Tani shumë flasin, dhe vetëm në terma pozitivë, për numrin 20 të verdhekuqve, i cili të shtunën, me golin nga jashtë zonës, në minutën e 89, i dha skuadrës së Roberto D’Aversa fitoren që i mungonte prej 22 shtatorit.

Ai e dërgoi topin në rrjetë, pastaj e mori dhe e futi poshtë fanellës e brohoriti i gëzuar: “Partnerja ime kosovare dhe unë tashmë kemi një vajzë një vjeçe e tetë muajsh, që ka lindur në Budapest”. Pavarësisht se është 27 vjeç, ai tashmë e ka parë Evropën: Kosovën, Shqipërinë, Danimarkën, Hungarinë dhe, “më në fund”, Italinë: “Nuk ka mbaruar. Kam lindur në Gjermani, pastaj jam kthyer në Kosovë. Në shtëpi kishim probleme financiare, por doja vetëm të luaja futboll. Babai donte që unë të punoja me të duke shitur shalqinj dhe fruta në treg, por pasi më pa të luaja ndeshjen e parë më tha: shko, luaj futboll. Hapi më i rëndësishëm ishte kalimi tek Aberdeeni i Skocisë, niveli atje ishte dukshëm më i lartë se në Danimarkë dhe Hungari. Falë paraqitjes atje fitova Kombëtaren dhe Italinë”.

A janë gjërat më mirë në familjen tuaj tani?
Ramadani: Absolutisht. Babai ka një dyqan, vëllai im ka dy.

Jeni nga Kosova, por zgjodhët të luanit me kombëtaren e Shqipërisë…
Ramadani: Unë kam dy pasaporta. Ndihem sikur iu përkas të dy vendeve, por zgjodha Shqipërinë dhe në Evropian do ta sfidojmë Italinë.

 Si jeni si Kombëtare?
Ramadani: Jemi një ekip i mirë, me 9 futbollistë që luajnë në Serinë A dhe kjo sigurisht që ndihmon. Pëlqejmë të luajmë me skemën 4-2-3-1. Ne flasim edhe italisht me Sylvinho, siç folëm me Rejan, që i parapriu. Do të donim të ishim surpriza e Evropianit. Unë, gjithashtu, luaj me rol pak më sulmues atje. Si Asllani dhe Bajrami.

Në fundjavë do ta sfidosh shokun tënd, Asllanin. Çfarë prisni ndaj Interit të pandalshëm?
Ramadani: Interi është skuadra më e fortë e Serisë A, e cila, për më tepër, po kalon një kohë të mirë. Me Kristjanin në kombëtare kemi një ritual: në mëngjes e pimë gjithmonë kafen bashkë. Të shtunën do t’i shkëmbejmë fanellat.

A mund ta përballojë Lecce një kundërshtar si zikaltrit?
Ramadani: Pika jonë e fortë është se jemi një ekip. Ne jemi të bashkuar. Nëse grupi është funksional, ju merrni rezultate. Në dhomën tonë të zhveshjes vetëm qeshet, bëjmë shumë shaka.

Si po shkon me D’Aversa? Ai ju besoi menjëherë?
Ramadani: Shumë mirë, ai më ndihmoi shumë dhe më ndihmon ende duke punuar përtej stërvitjes normale, mënjanë. Më thotë se duhet të gjuaj dhe kur kam hapësirë e bëj. Me goditje nga distanca kam shënuar tetë gola në karrierën time, vetëm një me Shqipërinë.

Dhe kështu këtu në Lecce nuk flasim më për Hjulmand…
Ramadani: E dija që nga dita e parë se duhej të jepja shumë e më shumë, gjithmonë 100 për qind. Ai ka qenë i rëndësishëm këtu dhe ka bërë shumë mirë. E di që duhet të punoj, të punoj, të punoj.

Si arritët te Lecce?
Ramadani: Më kërkonte edhe Verona, por e pashë këtë projekt, seriozitetin e klubit dhe nuk kisha asnjë dyshim të zgjidhja.

Me kë kaloni më tepër kohë në ekipin tuaj?
Ramadani: Me Berishën që vjen nga ‘Primavera’, por të jeni të sigurt se do t’i bëjë vend vetes në ekipin e parë. Ai është një lojtar që mund të bëjë gjithçka. Si unë.

Ku doni të shkoni?
Ramadani: E lehtë për t’u thënë, në Ligën e Kampionëve.

Kush ju bëri përshtypje në Serinë A?
Ramadani: Kvara, Osimhen, por edhe Anguissa. Dhe Baschirotto ynë, një udhëheqës i vërtetë.

Te Lecce duket se jeni përshtatur mirë…
Ramadani: Që nga dita e parë më bënë të ndihem si një prej tyre, duke më mirëpritur në mënyrën më të mirë. Banoj në qendër të qytetit. Problemi i vetëm është parkimi. Këtu hahet shumë mirë. Makaronat me domate e qershi, si dhe picat janë më të pëlqyerat prej meje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, ka bërë me…