Raporti i investimeve i BEI-t: Evropa të ndërmarrë veprime për t’i adresuar sfidat strukturore

20 mars 2023 | 11:23

Evropa duhet të rrisë ndjeshëm shpenzimet për investime produktive nëse dëshiron të mbajë ritmin me konkurrencën globale dhe të arrijë objektivat për zero neto, thuhet në raportin e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) 2022-2023.

Hendeku në investimet produktive midis Bashkimit Evropian dhe ShBA-së është gati 2 për qind e PBB-së, një prapambetje që ka vijuar për më shumë se dhjetë vjet.

Raporti i Investimeve i BEI-t tregon se pjesa e firmave të përfshira në risi shënoi rënie vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2021. Bizneset përmendën pasigurinë, mungesën e aftësive dhe kostot e larta të energjisë si kufizimet kryesore për investime.

“E ardhmja e Evropës varet nga aftësia jonë për të transformuar dhe përqafuar tranzicionin digjital dhe të gjelbër. Kjo kërkon investime të guximshme si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Megjithatë, pasiguria, e nxitur nga politikat e paparashikueshme dhe kushtet e tregut, po rezulton të jetë një pengesë në vendimet për investime”, ka theksuar shefja e Departamentit të Ekonomisë e BEI-t, Debora Revoltella.

Ajo ka shtuar se nuk mund ta humbasim mundësinë e tranzicionit të gjelbër. “Evropa mund të shfrytëzojë avantazhin e saj të inovacionit në shumë teknologji të gjelbra dhe duhet të shfrytëzojë më tej potencialin e tregut të përbashkët të BE-së, duke reduktuar pengesat administrative për investime dhe duke adresuar boshllëqet në aftësi”, ka pohuar Revoltella.

Të dhënat nga anketa e investimeve e BEI-t tregojnë se firmat në BE kanë më pak gjasa të fusin risi ose teknologji të reja sesa firmat në ShBA.

“Ky është një hendek që ka vijuar, i cili u përkeqësua nga pandemia, kur firmat në Evropë treguan më pak gjasa për t’u transformuar sesa ato në ShBA. Investimi i pamjaftueshëm në inovacion, si dhe në makineri dhe pajisje mund të rrezikojë aftësinë e Evropës për të konkurruar në afat të gjatë. Investimet e gjelbra nga kompanitë shënuan përparim në vitin 2022, pas një rënie gjatë pandemisë. Megjithatë, perspektiva për investimet e korporatave për të trajtuar ndryshimet klimatike është e përzier dhe e dobësuar nga barrierat administrative e pasiguria.  Analiza e BEI-t për shtysat e investimeve të gjelbra nga firmat sugjeron se kjo pasiguri mund të tejkalojë pjesërisht stimujt e krijuar nga çmimet më të larta të energjisë”, thuhet në raport.

Më tej theksohet se duke qenë se Evropa është pas ShBA-së në inovacionin digjital, teknologjitë e gjelbra janë një fushë në të cilën Bashkimi Evropian ka mbetur një lider i inovacionit. Në patentimin e teknologjive të gjelbra, pikat e forta të Evropës janë transporti, rrjetet inteligjente dhe energjia e erës. Megjithatë, ky përparim aktual mund të jetë nën kërcënim.

Në raport thuhet se konkurrenca globale rreth teknologjive të gjelbra po intensifikohet, veçanërisht me ligjin e ShBA-së për uljen e inflacionit dhe fokusin në rritje të Kinës në këtë fushë.

“Ndërsa Evropa ka qenë një lider në inovacionin e gjelbër deri më tani, ajo duhet të vazhdojë të punojë në këtë drejtim, duke shfrytëzuar mundësitë e krijuara nga tregu i saj i përbashkët. Korniza të qarta politikash, një fushë loje e barabartë brenda Evropës, investimet në aftësi dhe përpjekjet e ndërgjegjshme për të plotësuar në maksimum masat e investimeve publike dhe private, të gjitha këto do të luajnë një rol”, theksohet në raport.

Aftësitë janë thelbësore në tranzicionin digjital dhe atë të gjelbër. 69 për qind e bashkive të anketuara nga BEI deklaruan se u mungojnë aftësitë për vlerësimin e mjedisit dhe klimës që nevojiten për të çuar përpara investimet e gjelbra.

“Pavarësisht mbështetjes për politikat, kohezioni rajonal është gjithashtu në rrezik, ku rajonet më pak të zhvilluara në Evropën Lindore janë relativisht më të ekspozuara ndaj një kombinimi faktorësh stresues. Adresimi i aftësive lokale, kufizimeve fiskale dhe pengesave rregullatore do të jenë veçanërisht vendimtare për zbatimin e suksesshëm të Instrumentit për Rimëkëmbje dhe Qëndrueshmëri. Qeveritë duhet të ruajnë dhe forcojnë stimujt për një treg të përbashkët më të gjelbër dhe më të integruar, i cili është i mbrojtur mirë nga turbulencat, duke ofruar gjithashtu politika që ulin pasigurinë dhe u mundësojnë firmave të investojnë”, thuhet në raportin e Bankës Evropiane të Investimeve.

Raporti i Investimeve i BEI-t është raporti kryesor vjetor i Bankës Evropiane të Investimeve. I projektuar për të shërbyer si një mjet monitorimi, ai ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të zhvillimeve dhe shtytësve të investimeve, si dhe të financimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Raporti kombinon analizën e brendshme të BEI-t me rezultatet e përfituara nga bashkëpunimi me ekspertët kryesorë për të shpjeguar tendencat kryesore të tregut dhe për të dhënë një vështrim më të thellë në një fokus të veçantë tematik. Botimi 2022-2023 pasqyron qëndrueshmërinë e ekonomisë së BE-së ndaj goditjeve të përsëritura dhe kapacitetin e saj për të ripërtërirë veten, duke përmbushur premtimin për investime produktive publike dhe private.

Raporti përfshin rezultatet më të fundit nga Anketa vjetore e Investimeve të BEI-t, duke mbuluar përgjigjet e rreth 12 500 firmave në të gjithë Evropën ndaj një game të gjerë pyetjesh mbi investimet e korporatave dhe financimin e investimeve, si dhe anketa e bashkive të BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dragisha Mijaçiq, koordinator i Grupit Punues të Konventës së BE-së…