Raporti i Këshillit të Evropës, Kurtit i kërkohet ‘depolitizimi i plotë’ i KQZ-së

22 prill 2026 | 14:05

Zgjedhjet e parlamentare të 28 dhjetorit janë zhvilluar në mënyrë “të qetë dhe profesionale”, por me probleme serioze strukturore. Kështu është konstatuar në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, raport ky që i është dorëzuar edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka ngritur në veçanti shqetësime të forta për politizimin e administratës zgjedhore, veçanërisht të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas raportit, përbërja partiake e KQZ-së është duke krijuar rrezik për ndikim politik në vendimmarrje, edhe kur nuk ka shkelje formale ligjore.

“Kur vendimet për certifikim në raste politikisht të ndjeshme merren nga organe të përbëra nga të nominuar partiakë, ekziston rrezik i shtuar”, është thënë në raport.

Ky rrezik, sipas vëzhguesve, cenon sigurinë juridike dhe besimin publik në procesin zgjedhor.

Në raport i është kushtuar vëmendje kontestimeve të shumta për certifikimin e Listës Serbe dhe anulimet e vendimeve nga instanca më të larta gjyqësore.

Raporti ka theksuar se “pati përpjekje për të politizuar punën e KQZ-së”.

Në këtë kontekst, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka bërë thirrje të qartë për reforma strukturore.

“Duhet të sigurohet depolitizimi i plotë i KQZ-së, në mënyrë që organet zgjedhore jo vetëm të veprojnë paanshëm, por edhe të perceptohen si të tilla”, është thënë në raport.

Ndërkohë,  në raport është thënë se zgjedhjet janë karakterizuar nga konkurrencë politike dhe pjesëmarrje relativisht stabile, pavarësisht krizës institucionale që i ka paraprirë.

Megjithatë, “manipulimi i votave preferenciale” dhe problemet me listat e votuesve kanë dobësuar besimin në proces.

“Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Komisioni i Venecias janë të përgatitura të punojnë me autoritetet e Kosovës për të përmirësuar kornizën zgjedhore dhe për të forcuar kapacitetet e administratës zgjedhore, veçanërisht duke adresuar çështjet e përshkruara në këtë raport”, është thënë në raport- https://www.youtube.com/embed/vjdZ2vrAokY?si=nuMpBB6ANQQb2EbV

Çështja me anëtarin e mbetur të KQZ-së

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ende nuk e ka emëruar anëtarin e dhjetë të KQZ-së, i cili po pretendohet nga PDK-ja dhe LV-ja.

Ndonëse sipas shoqërisë civile dhe njohësve të Kushtetutës së Kosovës ky anëtar i takon PDK-së, LV-ja po insiston se ky anëtar iu takon atyre.

Ditë më parë, partia e Albin Kurtit e ka shtuar presionin mbi ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu që të emërojnë edhe “anëtarë të tretë” të Vetëvendosjes në KQZ.

Deputeti i Vetëvendosjes, Artna Abrashi, javën e kaluar, i kërkonte u.d presidentes së Kosovës, Albukena Haxhiut të ia emërojë anëtarin e tretë në KQZ.

“Në cilësinë e përfaqësuesit të LV-së, ju bëj thirrje që krahas detyrave tuaja si ud. epresidentes, të reflektoni dhe ta emëroni anëtarin e tretë të LVV-së në KQZ. Duke marrë parasysh vendin vakant dhe frymën demokratike që ka reflektu Neve na takon anëtari i tretë në KQZ. Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë”, ka thënë Abrashi.

Po ashtu, sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë me dije se i është drejtuar me letër ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke kërkuar emërimin e anëtarit të tretë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e kësaj partie.

Sipas tij, kërkesa është paraqitur duke pasur parasysh përbërjen e paplotësuar të KQZ-së gjatë mandatit të ish-Presidentes Vjosa Osmani, si dhe, sipas tij, faktin që Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar kërkesën e saj për vlerësimin e konfliktit ndërmjet kompetencave kushtetuese, në lëndën KO81/26.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nuk ka emëruar ende anëtarin e dhjetë të KQZ-së, që sipas njohësve i takon PDK-së.

Zgjedhjet e parakohshme mund të shpallen deri në fund të muajit në rastin e moszgjedhjes së presidentit të vendit, ndërsa përbërja e paplotë e KQZ-së konsiderohet rrezik për balancën institucionale.

“Një votë e vetme mund të përcaktojë vendime kyçe”, kanë vlerësuar njohësit, duke kujtuar votimin 6 me 5 për buxhetin e zgjedhjeve të dhjetorit.

Në atë mbledhje është miratuar edhe dërgimi i fletëvotimeve me postë për diasporën, pavarësisht kundërshtimeve për alternativa elektronike.

Ngërçi aktual lidhet edhe me përplasjen LV-opozitë për përfaqësimin në KQZ dhe interpretimin e Kushtetutës.

“Gjashtë anëtarë emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare”, thuhet në nenin 139.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në shënim të Dita e Tokës 2026, Aeroporti Ndërkombëtar Limak…