Raporti imagjinar i Dik Martit trand themelin e Gjykatës Speciale

06 gusht 2022 | 21:34

Shkruan: H. Mujaj

Të gjithë ata që e quajnë UÇK-në “organizatë kriminale,” siç po ndodh në Gjykatën Speciale në Hagë, vihen nën ndikimin e propagandës dhe të diplomacisë destruktive, hipokrite dhe narciste të Beogradit zyrtar.
Raporti (politik) i ish-senatorit të Parlamentit të Evropës Dik Marti, që në realitet ishte një projekt serbo – rus kundër UÇK-së, d. m. th. ndesh shtetësisë së Kosovës, u pajisë me të dhëna fiktive nga shërbimi sekret serb. Kjo që bëri D. Marti nuk është aq habi ngase mund të manipulohet një njeri, sidomos i papërkorë ose për ndonjë favor, sa është befasi shumë frapante sesi të rrëshqasë një institucion aq i lartë e kredibil siç është Asambleja e Këshillit të Evropës dhe të miratojë raport imagjinar pa e verifikuar vërtetësinë e burimit të tij!
Në filozofinë politike thuhet se nuk mund të tumiret një konstatim pa u bërë hulumtimi i tij madje jo vetëm një hulumtim, por edhe hulumtim i hulumtimit, pra hulumtim dyjar (“Untersuchung von Untersuchung”)

Aksiomë. E vërtetë e pakontestueshme. Pse nuk u veprua kështu edhe ndaj raportit të improvizuar të Martit? Po të ishte gjurmuar me kohë raporti i D. Martit, do të ishte parë se pretendimet e tij sipas të cilave krerët e UÇK-së janë marrë me trafikim organesh njerëzore, janë gjepura që burojnë nga propaganda e politikës antishqiptare serbe dhe, si të tilla, u fundosën. Akuzat e raportit të D. Martit u ndoqën dhe u hetuan nga prokurori amerikan Clint Williamson, i cili nuk kishte gjetur askund fakte të trafikimit të organeve njerëzore, as në të ashtuquajturën Shtëpi e Verdhë.

I këtillë ishte edhe konstatimi i ish- komandantit të KFOR-it, gjeneral Erhard Buhler, i cili, në pyetjen nga DW për trafikim organesh, u përgjigj: “Në kohën sa kam qenë unë komandant kemi shikuar të gjitha arkivat dhe kemi bërë përpjekje që të gjejmë dëshmi konkrete për këto akuza, por nuk kemi gjetur. Nuk kemi gjetur asnjë dëshmi për këto pohime.“ ( Sinjali, 22 korrik 2022 )

Kryetarja e Gjykatës Speciale Ekaterina Trëndafilova, në një intervistë, tha se në aktakuzat e krerëve të UÇK-së “nuk përmenden pretendimet e ish- zyrtarit zviceran.” Do të duhej ta thoshte arsyen, e cila dihet. Megjithëkëtë, nuk është vonë të hetohet burimi i raportit të Martit për t’u parë e vërteta dhe për t’u bindur se ato akuza janë mbështetur në trillimet e prokurorëve serbë të porositur dhe të paguar nga Qeveria serbe. Ky tentim është argument i ndërhyrjes së politikës serbe në këtë Gjykatë dhe një ironi e shekullit!

Pasi u hodh poshtë raporti i D. Martit përkatësisht i prokurorëve serbë i bazuar në fantazira, tani, për të mos mbetur Gjykata pa “lëndën e parë”, prokurorët e atjeshëm kërkojnë ende kohë për t’u bashkërenduar me prokurorët serbë rreth trillimit të akuzave të reja. Kështu politika serbe tani shpiku dhe e shpuri në Gjykatën Speciale një emërtim të ri për UÇK-në të ashtuquajtur: “organizatë e përbashkët kriminale!” Këtë terminologji e përdorte Beogradi zyrtar edhe gjatë luftës në Kosovë ashtu sikundër vijon ta përdorë edhe sot. Nga ky emërtim del plotësisht i kuptueshëm ndikimi i politikës serbe në përpilimin e akuzave të të paraburgosurve. Pra, tash nuk akuzohen vetëm prijësit e UÇK-së, porse e tërë UÇK-ja. Kjo është dëshmi e ndërhyrjeve politike në drejtësi!

Qëllimi i prokurorëve të kësaj Gjykate është qëllim politik; është shumë më i thellë sesa dënimi i krerëve të UÇK-së; ai është strategji politike për të kualifikuar UÇK-në si organizatë kriminale. Mirëpo, realiteti e thotë të kundërtën e këtij kualifikimi: ajo (UÇK-ja) qe organizatë çlirimtare elitare që i luftoi kriminelët vrasës të ushtrisë e të policisë serbe, të cilët vranë, masakruan e dogjën popullatën e paarmatosur shqiptare.
UÇK-ja zhvilloi luftë mbrojtëse e të drejtë; ajo nuk bëri masakra mbi popullatën civile serbe siç bënë ushtria e policia serbe mbi popullatën shqiptare; ajo nuk vrau fëmijë, gra e të moshuar siç vranë ushtria e policia serbe; ajo askund nuk dogji vendbanimet as nuk dhunoi femrat serbe sikur bënë ushtria e policia serbe e krime të tjera.
UÇK-ja, në bashkërendim me forcat e NATO-s, udhëhequr nga ShBA-ja, vuri themelin e shtetësisë së Kosovës. Serbia e humbi luftën në Kosovë. Ajo u dorëzua nga detyrimi i forcës dhe nuk ka të drejtë të kërkojë diçka në Kosovë vetëm nëse do të hapë një luftë të re. Pakica serbe në Kosovë i ka të gjitha të drejtat kombëtare, ligjore etj. madje më shumë se asnjë pakicë në Evropë dhe është e përfaqësuar në institucionet më të larta të shtetit.
Serbia duhet të përgjigjet për masakrat e bëra ndaj popullatës civile shqiptare, për dhunimet, për të pagjeturit në varrezat masive në Serbi, për dëmet e luftës dhe të paditet për gjenocid.
Ndesh konstruktit politik: “organizatë e përbashkët kriminale” që po e përdor Gjykata Speciale për UÇK-në, me arsye reagoi edhe eksperti i së drejtës ndërkombëtare penale, avokati amerikan Michael Karnavas, i cili, në një intervistë për gazetën Nacionale, ndër të tjera, tha: “Në gjykatat ndërkombëtare ka edhe ndikime politike.”
Prandaj, të gjithë ata që e quajnë UÇK-në organizatë kriminale vihen nën ndikimin e propagandës dhe të diplomacisë destruktive, hipokrite dhe narciste të Beogradit zyrtar, të shtetit që bëri masakrat më të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore, të shtetit që bëri gjenocid dhe etnocid ndaj shqiptarëve, boshnjakëve etj. Të gjithë ata që e quajnë UÇK-në organizatë kriminale janë kundër shtetit të Kosovës dhe po veprojnë për të rrënuar themelin e tij. Kjo do të thotë janë kundër stabilizimit politik dhe kundër paqes në Ballkanin Perëndimor. Emërtimi “UÇK-ja organizatë kriminale,”që po pëdoret nga Gjykata Speciale, vë në dyshim drejtësinë e kësaj Gjykate: drejtësi sipas fakteve apo drejtësi e gërshetuar me politikën!?
Për këtë kualifikim politik të UÇK-së duhet të reagojnë jo vetëm individët, analistët etj., por edhe institucionet më të larta të shtetit: Kuvendi i Kosovës, Presidenca, Qeveria, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Shoqatat e dala nga lufta etj. Sepse, kur sulmohet UÇK-ja, sulmohet themeli i Kosovës shtet.

Themeluesi i kësaj Gjykate – Kuvendi i Kosovës ka obligim kushtetues e ligjor të ndjekë me përkushtim zbatimin e Kushtetutës së Kosovës kundruall të paraburgosurve si dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Këtë deri më tani nuk e ka bërë. I pari është kryetari i Kuvendit G. Konjufca ai, i cili, pas vizitës së të paraburgosurve në Hagë, reagoi ndesh absolutizmit, që e vuri re në këtë Gjykatë për të cilën tha: “Gjykata Speciale ka nevojë për kontroll.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një fjalë zemre për Sabitin, mbajtur në akademinë përkujtimore, sot!…