Rashford pranon ulje të pagës për të qëndruar te Barcelona
Barcelona ka disa vendime të rëndësishme për të marrë para hapjes së afatit kalimtar veror në fillim të korrikut, ndërsa një nga çështjet kryesore është e ardhmja e Marcus Rashford, huazimi i të cilit pritet të përfundojë në fund të sezonit.
Sulmuesi anglez ka bindur me paraqitjet e tij që nga transferimi i përkohshëm në Kataloni, megjithatë kjo ende nuk është e mjaftueshme që Barcelona të aktivizojë opsionin e blerjes nga Manchester United.
Sipas Fotball Espana, Rashford ka shprehur dëshirën për të vazhduar karrierën e tij në mënyrë permanente te Barcelona dhe madje ka pranuar një ulje të pagës prej 40 për qind për ta lehtësuar marrëveshjen.
Gjithashtu, sulmuesi anglez thuhet se ka bërë edhe lëvizje të tjera për ta bërë më të realizueshëm transferimin, duke pranuar që kostoja e marrëveshjes të shpërndahet në pesë vite në vend të tre viteve, siç ishte parashikuar fillimisht.
Rashford ka rënë dakord për një kontratë trevjeçare me Barcelonën, por një strukturë e tillë financiare do ta rriste koston e regjistrimit të tij për klubin.
Nëse shuma shpërndahet në pesë vite, barra financiare do të ishte më e lehtë dhe kjo do t’i jepte më shumë hapësirë klubit katalanas për ta realizuar transferimin.
Vendimi përfundimtar pritet në javët në vijim, ndërsa deri atëherë Rashford do të vazhdojë të presë zhvillimet, pavarësisht përpjekjeve të tij për të bindur drejtuesit e Barcelonës për një qëndrim afatgjatë.



