Rastet e sharjeve dhe fyerjeve në Kuvend, KDI kritikon Konjufcën që i toleroi

02 gusht 2023 | 11:57

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin “ Ligjvënia mes shumë sfidave” lidhur me punimet e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror.

Një problem gjatë këtij sesioni për KDI-në ishte përdorimi i gjuhës jo parlamentare dhe të pa përshtatshme brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.

Me këtë rast në raport janë përmendur dy raste.

I pari është ai i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili ia përmendi termin “epsh”, deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

“Faleminderit për pyetjen dhe kujdesin maksimal që të përcillni çdo detaj të intervistave të mia në vazhdimësi. Po ashtu, është e pakuptimtë epshi juaj për me marrë vëmendje publike, është e parëndësishme”, i pati thënë Bislimi, asaj.

Për këtë deklaratë të Bislimit kishte reaguar Konjufca. “Kujdes fjalorin z.Bislimi”.

Rast tjetër i përdorimit të gjuhës së papërshtatshme në Kuvend, KDI-ja e ka vlerësuar edhe ofendimin e deputetit të LDK-së, Kujtim Shala ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Shala është zënë në mikrofon edhe duke sharë.

Kamerat kanë kapur momentin kur Shala dëgjohet tek thotë “puu t’q***** tradhtarin e nonës”.

E për këto terme të përdorura në Kuvendin e Kosovës, KDI ka kritikuar edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Një nga problemet më të theksuara të këtij sesioni, ka qenë përdorimi i gjuhës joparlamentare dhe të papërshtatshme brenda  Kuvendit. Përkitazi me trendet e përkeqësimit tek çështja e gjuhës jo-parlamentare, Kuvendi nuk ka ndërmarr hapa proporcionalisht me shkeljet. Rregullorja e Kuvendit të Kosovës i mundëson Kryetarit të Kuvendit të ndërmarrë 5 lloje të masave kundrejt atyre që përdorin gjuhë joparlamentare në seancë, siç janë kërkesa për tërheqjen e fjalës, ndërprerja e fjalës, vërejtja, vërejtja me paralajmërim për largim nga seanca plenare dhe përfundimisht largimi nga seanca plenare. Në raport me gjuhen e përdorur Kryetari nuk ndërmori masat e duhura, shpeshherë duke e toleruar atë”, është thënë në raportin e KDI-së.

Sipas KDI-së,  mosdënimi i gjuhës së papërshtatshme në Kuvend, ka krijuar perceptim normal të saj.

“Mosdënimi i gjuhës së papërshtatshme parlamentare, ka krijuar një perceptim normal të saj brenda Kuvendit, duke rritur tensionet vazhdueshëm brenda Kuvendit. Ky trend i tensionit përveç prodhimit të skenave të papërshtatshme brenda Kuvendit, ka shkaktuar incidentin e rrahjes në grup ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe përfaqësuesve të  Vetëvendosjes, anëtar të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit gjatë muajit korrik. Ky incident ka tejkaluar edhe masat ndëshkuese që parasheh Rregullorja, duke aktivizuar organet e drejtësisë të cilat kanë marrë përsipër rastin në fjalë”, është thënë në raportin e KDI-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dominimi që Red Bull ka këtë sezon në Formula 1…