Rasti i Arlindës, një muaj paraburgim ndaj ish-vjehrrës, ish-kunatit dhe dy të tjerëve
Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj katër personave, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Bëhet fjalë për ish-vjehrrën e saj, Nurije Sylajn, dhe ish-kunatin, Driton Sylajn.
Ndërkaq, e njëjta masë është caktuar edhe ndaj Gëzim Bobit dhe Metë Pepajt, të cilët akuzohen se e kanë ndihmuar të arratiset dorasin e dyshuar, Albert Sylajn.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, Sami Sharaxhiu, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurve N.S. dhe D.S., për shkak të dyshimit për veprën penale ‘Ndihma në kryerjen e veprës penale Vrasja e rëndë’, nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.4, lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa ndaj të pandehurve M.P. dhe G.B., për veprën penale ‘Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale’, nga neni 380, paragrafi 3, i KPRK-së.
Masa e paraburgimit ndaj të pandehurve N.S. dhe D.S. llogaritet nga data 24.11.2026, në ora 09:30, deri më datë 24.12.2026, ndërsa ndaj të pandehurve M.P. dhe G.B. nga data 24.11.2026, në ora 10:00, deri më datë 24.12.2026”, është thënë në njoftimin e kësaj gjykate.



