Rasti ‘Klan Kosova’, reagon edhe ambasada e ShBA-së dhe Britanisë

16 qershor 2023 | 11:38

Reagimet për pezullimin e certifikatë të biznesit të “Klan Kosovës” nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kanë vazhduar edhe të premten.

Nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, kanë se janë në dijeni për këtë rast se dhe janë duke e përcjell nga afër çështjen e pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane ka thënë se e kanë vënë re natyrën e papritur të vendimit të MINT-it.

“Jemi në dijeni të vendimit dhe po e përcjellim këtë çështje për së afërmi. E vëmë në pah që duket se vendimi është marrë papritmas dhe që heqja e licencës së ndonjë medie është hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim të hollësishëm. Siç e kemi thënë vazhdimisht, mediat e lira dhe të pavarura janë thelbësore për demokracitë e forta dhe të qëndrueshme”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane për “Reporteri.net”.

Pas Ambasadës së ShBA-së, ka reaguar edhe ajo e Britanisë së Madhe për rastin e MINT-it kundër “Klan Kosovës”.

Ambasadori Nicholas Abbott, ka thënë se ka vërejtur shqetësimin e shoqërisë civile për këtë rast, duke kërkuar nga institucionet që të mendojnë me shumë kujdes masat e mëtejme ndaj këtij rasti.

“Po e ndjek me vëmendje rastin e ‘Klan Kosovës’ dhe vërej se vendimi për licencën e biznesit të saj është ende objekt ankimimi. Vërej shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe kërkoj nga institucionet përkatëse që të mendojnë me shumë kujdes për çdo masë të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e mediave në Kosovë”, ka thënë Abbott.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Forumin…